28 Shkurt, 2025 - 10:30 am
-Me këtë dokument politik-juridik, Kosova barazohej me njësitë tjera të federatës jugosllave
Shkruan: Jusuf Buxhovi
Në historikun e shtetndërtimit të Kosovës, kushtetuta që Kuvendi i KSA të Kosovës e miratoi më 27 shkurt 1974, shënon gurëthemelin e saj institucional, së cilës do t’i referohen: Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut 1990 dhe Kushtetuta e Kaçanikut e 7 shtatorit 1990. Me këtë dokument politik-juridik, Kosova barazohej me njësitë tjera të federatës jugosllave, ndonëse ruante gjendjen duale në raport me Serbinë (në kuadër të saj), por si subjekt konstituiv i federalizmit jugosllav. Kjo pasqyrohej në nenin 1 të kushtetutës federative në paragrafin e parë kur ajo radhitej bashkë me gjashtë republikat e tjera, ndërsa paragrafi i dytë theksonte (përbërjen) në kuadër të RS të Serbisë.
Kryetar i Komisionit që kishte përgatitur debatin publik ishte Fadil Hoxha. Ndërsa në punën e Komisionit Federativ për hartimin e Kushtetutës ishte përfshirë akademikët Gazmend Zajmi, Syrja Popovci, Esad Stavileci, juristët Kurtesh Saliu, Iliaz Kurteshi e të tjerë.
Siç dihet, pozita kushtetuese e KS të Kosovës në përputhje me kushtetutën e vitit 1974, u rrënua dhunshëm, me ndërhyrjen e Serbisë, më 23 mars 1989. Ishte ky një puç ndaj kushtetutës federative dhe ndaj rendit kushtetues, që i hapi rrugën shpërbërjes së federatës jugosllave në gusht të viti 1991 pas agresionit të Armatës Jugosllave në Slloveni.
Ndaj këtij veprimi, intelektualët e Kosovës, reaguan me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më 23 dhjetor 1989, koncepti i së cilës për barazi, u formula në kërkesën për avancimin e pozitës së saj kushtetuese në federatë, kërkesë kjo që politikisht evuloi nga barazia tek pavarësia pas vendimeve të Konferencës së Hagës të gushtit të vitit 1991 kur u pranua shpërbërja e federatës jugosllave. Me këtë rast edhe Kosova, Komisionit të Badinterit, ia paraqiti kërkesën për njohjen e shkëputjes nga kjo federatë në përputhje me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, vendimin e Kuvendit të Kaçanikut të 7 shtator 1990 si dhe Referendumin për Pavarësi të shtatorit 1991.
Ndonëse Komisioni i Badinterit nuk e shqyrtoi kërkesën e Kosovës, megjithatë nuk e refuzoi, pikërisht duke u mbështetur mbi paragrafin e parë të nenit 1 të kushtetutës federative të vitit 1974 ku edhe dy krahinat (ajo e Kosovës dhe e Vojvodinës), bashkë me gjashtë republikat, theksoheshin pjesë e konstitucionalizmit federativ. Madje, edhe GJND e Hagës, në vitin 2010, të drejtën e Kosovës për shpallen e pavarësisë, që nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare, pos tjerash, do ta arsyetojë edhe mbi këtë fakt./ KultPlus.com