11 Shtator, 2024 - 9:00 pm
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se ministri Çeku ka takuar disa nga përfituesit e sivjetmë të thirrjes së Ministrisë së Kulturës për mbështetje studimore jashtë vendit.
“Bashkë diskutuan për rrugëtimin e tyre, fushat e studimit dhe kontributin që mund të japin për vendin tonë pas përfundimit të studimeve.
Këtë vit, nga kjo thirrje kanë përfituar 53 studentë për të ndjekur studimet në nivele të ndryshme, nga bachelor deri në post-doktoratë, në disa prej universiteteve më prestigjioze botërore”, ka njoftuar ministria.
Sipas saj, programi i bursave synon të krijojë profesionistë të rinj në profile deficitare në fushën e artit, trashëgimisë kulturore dhe sportit.
“Studentët po ndjekin programe të ndryshme, duke përfshirë regji teatri, gazetari sportive, konservim, skenografi të teatrit e operës, histori arti e arkeologji. Ata po studiojnë në vende të ndryshme si Gjermani, Itali, SHBA, Francë, Slloveni, Spanjë, Holandë, Belgjikë, Skoci, Angli, Zvicër dhe Estoni”, njofton MKRS.