30 Gusht, 2022 - 3:35 pm
Hora e Arbëreshëve, komuniteti arbëresh i cili ka ruajtur më me fanatizëm dashurinë për origjinën, sot feston 543-vjetorin e lindjes.
Hora ose siç njihet ndryshe “Piana degli Albanesi”, afër Palermos në Sicili është themeluar më 30 gusht të vitit 1488.
Ky vendbanim arbëresh, ruan me shumë dashuri gjuhën, traditat dhe simbolet kombëtare.
Hora Arbëreshe ka mbi 6.500 banorë dhe njihet edhe si kryeqendër e arbëreshëve, që dha figura të famshme që nga periudha e Rilindjes, siç ishin poeti Zef Skiroi, gjuhëtari Lekë Matrënga, studiuesi e filozofi Dhimitër Kamarda etj.
Banorët e Horës edhe sot e kësaj dite ruajnë pothuajse të paprekura gjuhën dhe traditat kulturore, megjithëse të parët e tyre u shpërngulën në ishull rreth 1480-ës, kur osmanët sulmuan trojet shqiptare.
Aktualisht Bashkia e Horës përdor dokumente zyrtare dygjuhësore: shqip dhe italisht, në bazë të ligjit për mbrojtjen e pakicave etnike dhe gjuhësore në Itali.
Ndërsa flamuri kombëtar valëvitet në shumë objekte private e publike, përfshirë edhe godinën e Bashkisë së Horës. Në këtë lokalitet të madh arbëresh, krahas bustit të Skënderbeut, gjendet edhe shtatorja e Shën Terezës, që paraqesin pikat më të frekuentuara të vizitorëve. / KultPlus.com