581-vjetori i Besëlidhjes së Lezhës, Kurti: Historia e Skënderbeut na inspiron me universalitetin

2 Mars, 2025 - 1:29 pm


Kryeministri Albin Kurti përkujtoi sot ngjarjen historike të 2 marsit 1444, Besëlidhjen e Lezhës, dhe prijësin e saj, heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, shkruan KultPlus.

”Lavdi e përmotshme heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe trashëgimisë historike e politike të tij”, ka shkruar Kurti.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:

Duke dashur ta përkujtojmë historinë e përbashkimeve politike të shqiptarëve, sot e kujtojmë 581 vjetorin e Kuvendit të Lezhës.

Më 2 mars të vitit të largët 1444, në qytetin e Lezhës, u mblodhën në kuvend një mori fisnikësh arbër, nga dinastitë Arianiti, Topia, Dukagjini, Kastrioti, Zaharia, Spani, Gjurashi dhe të tjera familje bujarësh, me qëllim që t’i bashkonin forcat e tyre për t’i bërë ballë ekspansionit të osmanëve. Këshilli i Përgjithshëm i dalë nga ky Kuvend në Lezhë, e caktoi Gjergj Kastriotin Kapiten të Përgjithshëm, si prijës ushtarak të forcave të bashkuara të tyre. Vetëm tre muaj më parë, më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti i mbiquajtur Skënderbeu, e kishte ngritur flamurin e kryengritjes kundër osmanëve, duke shënuar fillimin e një epoke çerekshekullore të rezistencës së armatosur kundërosmane në Arbëri.

Gjatë tre dekadave të mesme të shekullit të XV, arbërit dhe Arbëria të udhëhequr nga Skënderbeu, u kthyen në një zonë të pathyeshme për osmanët, në rrugën e tyre drejt pushtimit të Evropës synuar përmes brigjeve të Italisë. Megjithëse në dekadat pasuese të gjitha trevat e banuara nga arbërit ranë në pushtimin osman dhe ishin pjesë e Perandorisë Osmane deri në fillim të shekullit XX, epoka e Skënderbeut dhe figura e tij, do t’u shërbenin shqiptarëve në të gjitha etapat e historisë së tyre për frymëzim e fuqizim, për krenari e bashkim.

Si gjatë shekullit XIX, kur rilindasit po e konceptonin dhe sendërtonin kombin shqiptar sipas modeleve moderne evropiane, ashtu edhe gjatë gjithë shekullit XX deri te lufta për çlirimin e Kosovës, sytë e shqiptarëve janë kthyer gjithmonë kah figura e lavdishme e Skënderbeut, Zotit të Arbërisë. Shkathtësia e tij si strateg ushtarak në njërën anë si dhe mençuria e tij si lider politik në anën tjetër, e bën Skënderbeun një fisnik shtetformues, me aftësi për të lidhur dhe mbajtur marrëdhënie diplomatike të balancuara me osmanët dhe venedikasit, si dhe aleanca me Papatin dhe me napolitanët e me sicilianët e Aragonës, me hungarezët e Janosh Huniadit sikur edhe me kroatët e Dubrovnikut. Andaj edhe sot, historia e Skënderbeut na inspiron me universalitetin e saj në të menduar e në të vepruar, në guxim e në maturi, në strategji dhe në patriotizëm. Për liri dhe për shtet, për aleanca të fuqishme dhe për progres historik.

Lavdi e përmotshme heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe trashëgimisë historike e politike të tij!/ KultPlus.com

Të ngjajshme