2 Gusht, 2024 - 9:00 pm
Lajm të shkëlqyer e ka konsideruar ministri Blendi Gonxhja, miratimin e një granti për Bylisin, që siç e quan ai, është qyteti ilir par excellence. Ky është granti më i madh për një sit arkeologjik. Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit bëri të ditur se ditën e djeshme, në mbledhjen e Qeverisë, u miratua vendimi i Këshillit të Ministrave për miratimin e Planit të Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe Klosit (2024-2029), 6 milionë euro, qendër vizitorësh, muze, vende të reja pune, infrastrukturë prezantimi, konservimi trashëgimie dhe mjedisi.
“Vëmendja dhe përkushtimi i MEKI-t, këtë rradhë, u fokusua tek Parku Arkeologjik i Bylisit dhe Klosit, në zëmër të Mallakastrës”, shkroi Gonxhja në rrjetet sociale.
Parku arkeologjik dhe plani i tij i menaxhimit, miratuar tashmë zyrtarisht, mbështetet nga projekti “BE për Zhvillimin Ekonomik – Zhvillim Ekonomik Lokal i Udhëhequr nga Turizmi me Fokus në Trashëgiminë Kulturore”.
Të shumta do të jenë aktivitetet e parashikuara në këtë plan menaxhimi në funksion të ruajtjes dhe restaurimit të pasurisë arkeologjike por edhe të nxitjes së ekonomisë lokale në dobi të komunitetit dhe turizmit kulturor. Plani përfshin vijimin e hulumtimeve dhe gërmimeve arkeologjike si edhe investime në punime civile e rrugë aksesi. Ky plan veprimi i drejtuar nga MEKI dhe institucionet e specializuara të tij, do të mbështetet në partneritetin e financimet e BE-së dhe zbatimin e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim e Zhvillim (AICS).
Vizioni dhe qëllimi i planit të menaxhimit janë hartuar si vazhdimësi e punës shkencore dhe gërmimeve arkeologjike shumëvjeçare të realizuara nga Instituti i Arkeologjisë (IA) si dhe të punimeve konservuese e restauruese të kryera nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) dhe institucioneve të tjera të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ministri i MEKI-t e konsideroi si, një tjetër vendim vizionar të qeverisë shqiptare me prioritet ruajtjen, menaxhimin dhe integrimin e trashëgimisë kulturore. Bylis, gjithashtu ka potencial të jashtëzakonshëm të kthehet në një promotor të zhvillimit ekonomik të vendit.
Ministri Gonxhja ka premtuar se Parku Arkeologjik i Bylis nuk është as i pari dhe s’do të jetë as i fundit. MEKI po harton planet e menaxhimit për parqet, sitet arkeologjike dhe qendrat historike, në zbatim të ligjit 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” dhe në funksion të përmbushjes së Objektivave për Zhvillimin e Qëndrueshëm në fushën e trashëgimisë kulturore./KultPlus.com