5 Dhjetor, 2020 - 11:00 pm
Bethany Moultry është vajzë me një veçanti të rrallë. Pavarësisht që është vetëm gjashtë vjeçare, dëshira për t’i ndihmuar të tjerët nuk i mungon.
Ajo njihet në rrethin e saj që dëshiron të ndihmojë njerëzit në nevojë. Disa muaj para se të përhapej koronavirusi, Beathy dhe nëna e saj, Collen Moultry, kishin ndihmuar një të pastrehë, i cili bredhte rrugës duke kërkuar lëmoshë.
“Doja ta hapja pakon ku i kam ruajtur paratë dhe t’ia jepja”, ka thënë ajo për CNN.
Nëna e saj ka rrëfyer se Bethany për ditëlindjen e saj të gjashtë pati një kërkesë: T’i ndihmonte të tjerët.
“Ndjeva një lloj obligimi sikur duhet t’ia jap paratë e mia për ta realizuar dëshirën e saj. Jo çdo ditë dëgjoni këto fjalë prej ndonjë të rrituri apo fëmije”, tha Collen.
Vajza nuk ishte ndalur me kaq. Ajo hapi fondacionin “Çantat e lumtura të Bethany për të pastrehët”, duke krijuar edhe partneritet me strehimoret lokale.
“Kemi biseduar me drejtoritë e strehimoreve dhe njerëzit në rrugë që të dimë se çfarë të fusim në çanta dhe nevojat që ata i kishin”, tha nëna e vajzës.
Secila çantë ka një mesazh të shkruar nga Bethany dhe gjësendet esenciale për të pastrehët, duke mos lënë anash edhe maskat mbrojtëse./ KultPlus.com