18 Tetor, 2024 - 11:42 am
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, njoftuan hapjen e ekspozitës “Koleksionet Veneciane në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë”.
Në këtë ekspozitë, që parashikohet të jetë një ndër më të mëdhatë e njëkohësisht, më të rëndësishmet të organizuara nga BKSH-ja, do të ekspozohen rreth 600 libra dhe harta origjinale të shtypura në Venecia, mes viteve 1400-1800. Pjesa më e madhe e tyre ekspozohen për herë të parë në publik.
Ekspozita është kuruar nën kujdesin e kuratores shkencore Elisabetta Sciarra, drejtore e Bibliotekës Kombëtare Qendrore të Firences, një prej bibliotekave më prestigjioze dhe më të vjetra në Europë.
Ekspozita e koleksioneve veneciane do të jetë e hapur çdo ditë për vizitorët nga 21 tetori deri më 4 nëntor, nga ora 09:00 – 19:00./atsh/KultPlus.com