13 Gusht, 2024 - 11:31 am
Pak para agimit të 13 gushtit 1961, kufiri mes lindjes dhe perëndimit të qytetit të Berlinit ndahet me tela me gjemba: lind Muri i Berlinit.
Në pjesën perëndimore të Berlinit, një telefonatë në mes të natës nga policia e Spandau-t njofton se një tren i S-Bahn, metroja e ngritur e Berlinit, është kthyer prapa.
Në orën 2 të mëngjesit, diçka po ndodh në kryeqytetin gjerman. Nga sheshi “Alexander”, Erich Honecker, ende i panjohur, drejton operacionet si oficer i SED-it (Partia Socialiste e Unitetit): brenda pak orësh, me urdhër të presidentit Walter Ulbricht, pjesa lindore dhe perëndimore e Berlinit ndahen.
Vendimi i qeverive të Traktatit të Varshavës për të mbyllur zonën lindore të qytetit, me qëllim shmangien e gjakderdhjes (1,6 milionë banorë të Berlinit ishin larguar tashmë nga lindja për në perëndim), u bë përfaqësimi i prekshëm i “Perdes së Hekurt”, që ndau botën në dy blloqe, nën ndikimin sovjetik dhe nën atë amerikan, të cilat ishin të ndara politikisht dhe ideologjikisht gjatë kohës së Luftës të Ftohtë.
Pasojat e asaj zgjedhjeje ndanë për dekada të tëra familjet e miqtë dhe u kushtoi jetën shumë gjermanëve, të cilët u përpoqën të arratiseshin në mënyra gjithnjë e më të rrezikshme.
Numri i saktë i viktimave të shkaktuara nga Muri i Berlinit është e vështirë të përcaktohet, pasi disa nga të dhënat janë të ndryshueshme dhe ka pasur raste kur numrat janë ndryshuar pasi janë bërë zbulime të reja.
Në përgjithësi, një shifër e pranuar është se rreth 140 të vdekur janë regjistruar nga autoritetet gjatë periudhës nga viti 1961 deri në vitin 1989, kur Muri i Berlinit ishte i ndërtuar. Këto viktima përfshinin njerëz që mundoheshin të kalonin murin, përfshirë edhe civilë dhe ushtarë të ndryshëm që kishin ndërmend të iknin nga Gjermania Lindore drejt Gjermanisë Perëndimore.
Ndër viktima kryesore ishin njerëz që mundoheshin të kapërcenin murin, por u arrestuan, dëbuan, torturuan, ose u vranë nga ushtarët kufitarë të Gjermanisë Lindore. Në disa raste, vdekjet ndodhën edhe nga plagët e marra gjatë tentimeve për të kaluar murin. Shteti komunist i Gjermanisë Lindore e mbante këtë mur si një pjesë të politikës së ndarjes dhe sigurisë, dhe tentativa për të kapërcyer murin shiheshin si tentativa kundër rendit të tyre politik.
Në vitin 1989, pas një ndryshimi të situatës politike dhe një rritje të presionit ndërkombëtar, ndodhi rënia e Murit të Berlinit. Kjo ngjarje solli një moment historik në të cilin qytetarët e dy pjesëve të qytetit, pas dekada të ndarjes, filluan të festonin bashkimin dhe të hynin në një periudhë të re të historisë së tyre.
Rënia e Murit të Berlinit simbolizoi fundin e Luftës së Ftohtë dhe ndarjes midis Bllokut Perëndimor dhe Lindor të vendeve komuniste. Ky moment ka qenë një ndër ngjarjet më të rëndësishme dhe simbolike të shekullit të 20-të në historinë e Evropës dhe të botës./KultPlus.com