15 Qershor, 2023 - 6:58 pm
634 vite më parë, popujt ballkanik shqiptarët, bullgarët, rumunët dhe serbët krijuan një koalicion antiosman për shkak të depërtimit të vrullshëm të osmanëve në Ballkan.
Beteja e Kosovës u zhvillua në rrethinën e Prishtinës në Kosovë (Dardani) në vitin 1389 midis Serbisë (ndërmjet një koalicioni ballkanik), dhe Perandorisë Osmane.
Depërtimi i vrullshëm i osmanëve në Ballkan tronditi elitën politike drejtuese shqiptare, dhe atë të vendeve fqinje. Të ndodhur përballë një armiku të përbashkët, shqiptarët, bullgarët, rumunët e serbët i fashitën mosmarrëveshjet dhe grindjet e tyre dhe krijuan një koalicion antiosman.
Në të bënin pjesë personalitete të shquara shqiptarë si Gjergji II Balsha, Teodor Muzaka, Gjon Kastrioti, Dhimitër Jonima, Andrea Gropa etj. Këta, më forca të bashkuara, morën pjesë në betejën që u zhvillua në afërsi të Prishtinës, më 28 qershor 1389. Në këtë betejë të përgjakshme dhe të pabarabartë që u zhvillua ndërmjet 20.000 ushtarëve osmanë dhe 20.000 luftëtarëve ballkanas u shqua luftëtari shqiptar Millosh Nikolla Kopili, i cili arriti të vriste Sulltan Sulltan Murad I.
Megjithëkëtë ballkanasit pësuan disfatë të rëndë dhe kjo i hapi rrugën sulltanit pasardhës, Bajazitit I, për pushtime të reja në Ballkan. Gjatë sundimit të tij, osmanët arritën të vendoseshin diku përkohësisht e diku përgjithmonë në viset e tjera shqiptare, që nga Shkodra e Kruja dhe deri në rajonet e Korçës e të Përmetit.
Në Shqipëri u krijua kështu një situatë e rëndë në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Vendi pësoi një copëzim të madh politik. Prijësit e shumtë shqiptarë, duke qenë ushtarakisht të pafuqishëm, përgjithësisht hynë në vasalitetin e sulltanëve dhe nxituan të lidheshin më vende të tjera.
Duke përfituar nga një situatë e tillë dhe në marrëveshje me prijësit vendas ose edhe më presion, Venediku arriti t’u merrte atyre qytetet bregdetare, që nga gjiri i Kotorrit, e deri në atë të Artës, si Buduan, Tivarin, Ulqinin, Shkodrën (bashkë me rrethinat e saj, Drishtin e Dejën), Lezhën, Durrësin, Butrintin, Pargën etj, që ishin edhe qendra shumë të rëndësishme tregtare e shkëmbimi me viset e brendshme të vendit.
Pas disfatës që pësoi ushtria e sulltan Bajazitit në betejën e Ankarasë më 1403 prej trupave mongole të Timurlengut, përkohësisht zotërinjtë shqiptarë i forcuan pozitat e tyre dhe në jetën politike të vendit dolën në plan të parë familje të tilla si Balshajt, Gojçinët (Çernojeviçët), Dukagjinët, Zahariajt, Spanët, Stres-Balshajt, në Shqipërinë e Veriut; Kastriotët, Topiajt, Arianitët, Muzakajt e Gropajt, në Shqipërinë Qendrore; Shpatajt, Zenebishët; në Shqipërinë e Jugut etj.
Sapo erdhi në pushtet sulltan Mehmeti I (1413-1421) mori masa energjike për rivendosjen e zgjerimin e pushtimit osman dhe gjatë viteve 1415-1417 ushtritë e tij pushtuan njërën pas tjetrës kështjellat e rëndësishme, si Krujën, Beratin, Kaninën e Gjirokastrën./KultPlus.com