23 Korrik, 2024 - 9:29 am
Fadil Vokrri njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe mbetet futbollisti më i njohur dhe i adhuruar në Kosovë.
Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës se tij. Ai e filloi karrierën e tij si futbollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit. Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij.
Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi. Mirosllav Bllazhevic, trajneri i KF Prishtina e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.
Fadili i rrethuar nga tifozët
Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Në atë kohë Fadil Vokrrit iu propozua të luante edhe për Dinamo e Zagrebit. Fadil Vokrri e shpjegon kështu pse vendosi të luante për KF Partizani dhe jo Dinamo e Zagrebit: “Pikërisht “Partizani”, ka qenë ekipi i parë që ka shprehur interesim për mua. Arsyeja për të kaluar në radhët e “Partizanit”, së pari ka vendosur afërsia kilometrazhe Prishtinë-Beograd, pastaj siç dihet atëbotë të ish-Jugosllavisë, “Partizani”, ka pasur shumë simpatizues në Kosovë, sepse ky ekip gjithnjë kishte ndonjë shqiptar të aktivizuar në klub. Për nga shikueshmëria “Partizani” ka pasur Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë, tri qendra kryesore për rekrutimin e lojtarëve. Edhe unë si fëmijë, si çdo moshatar i imi isha simpatizues i “Partizanit” të Beogradit, d.m.th. si shumica e kosovarëve, andaj këto ishin arsyet që unë kalova në radhët e ekipit të “Partizanit”. Kushtet që më pat ofruar ky ekip ishin shumë të mira, e qe besa edhe “Prishtina”, me transferimin tim tek “Partizani”, nuk është ndarë keq për nga “leku”, kështu që të gjitha komponentët u përmbushën që unë të bëhem lojtar i ekipit të “Partizanit”. Kam kaluar mirë në këtë ekip, mirëpo nuk kanë munguar edhe provokimet e ndryshme. Si p.sh. atëbotë kur minatorët e Trepçës, hynë në zgafellë, TV Vesti nga Beogradi, në emisionin në gjuhën shqipe në orën 17:00, më kanë ftuar që unë të bëja thirrje, që minatorët të dalin nga zgafella (kjo është hera e parë që këtë po e bëj publike), më janë paraqitur dy-tri herë emra të ndryshëm të sferës së politikës, mirëpo unë u thashë se nuk merrem me politikë dhe se janë politikanët të cilët mund të bëjnë thirrje …”.
Flamurtari – Partizani i Beogradit
Petro Ruci, lojtar i Flamurtarit të Vlorës e kujton kështu atë ndeshje dhe Fadil Vokrrin: “Detyra që na dha trajneri Leonidha Çuri ishte që unë dhe Rrapo Taho të koordinojmë veprimet tona për të ruajtur mirë sulmuesit më të rrezikshëm të Partizanit të Beogradit Milko Gjurovski dhe Fadil Vokrri. Për vetë mënyrën e lojës, që u krijua, më takoi mua të luaj ndaj bashkatdhetarit tim Vokrri. Ai ishte një lojtar i shpejtë, i fortë fizikisht, kërcente shumë në ajër dhe e godiste mjaft mirë topin me kokë. Ai ishte një futbollist mjaft i vështirë për çdo mbrojtje kundërshtare. Si i tillë, ai ishte i vështirë edhe për ne.”
Fadil Vokrri kujton nga këto 2 ndeshje: “Në takimin e parë që e zhvilluam në Vlorë, ekipi i “Partizanit”, ka qenë shumë i dobët, ku humbëm 2:0. Në Kavajë i kam 30 familje kushëri, babai im komunikonte me ta nëpërmjet letrave dhe ekipi ynë më të arritur në Vlorë, një natë para ndeshjes, kanë qenë 2000 tifozë, që më prisnin. Për mua ishte diçka madhështore, me këtë rast dua të falënderoj trajnerin tim në atë kohë Fahredin Jusufin (ish-trajner i Partizanit), i cili më dha leje speciale që të dal dhe të përshëndetem me atë tifozëri që më prisnin. Tani kur po flas po më rrëqethet trupi dhe bashkë me ta kam bërë dikund 1000 fotografi, ndoshta dikush brenda nga klubi më ka përcjellë, mirëpo lejen ma dha Jusufi. Ndërsa sa i përket lojës ““Flamurtari”, me plotë meritë fitoi 2:0″, ndërkaq në ndeshjen e kthimit në Beograd, Fadil Vokrri, shënoi golin e dytë, si dhe në Vokrrin shkaktohet penalltia, “Partizani” udhëheq 2:0, ekipi ynë luan shumë mirë, e po ashtu edhe Fadil Vokrri, njëri ndër lojtarët më të mirë në terren, mirëpo në fund të takimit Sokol Kushta shënoi gol, pastaj portieri i “Flamurtarit”, Arapi, ka qenë në formë shumë të mirë, kështu që “Partizani”, u eliminua nga garat. Humbja e “Partizanit” ka qenë shumë e rëndë, u pasqyrua shumë keq, ku thuhej se si është e mundur që një ekip si “Flamurtari”, ta eliminojë ekipin e “Partizanit” të Beogradit, me famë të madhe, kështu që vërtet humbja në Beograd, u përjetua shumë rëndë. Kjo u pasqyrua menjëherë në lojën për Kupën e ish-Jugosllavisë, kundër “Iskres” (anëtar i Ligës së Dytë), ku humbëm, kështu që humbja ndaj “Flamurtarit”, na destabilizoi në tërësi”.
Vokrri ka luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe ka shënuar 5 gola.
Fadil Vokrri luan për një periudhë kohe për NIM, Francë.
Në vitet 1990-1992 luajti për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe korri shumë suksese për këtë ekip.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Fadil Vokrri u vendos me banim në Francë, ku u bë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë.
Pas një kohe të suksesshme atje, Fadili u kthye në Kosovë dhe u bë president i Federatës së Futbollit Kosovar, FFK.
Vdiq në Prishtinë papritmas më 9 qershor 2018, pas një ataku kardiak.
Pas vdekjes së Vokrrit, stadiumi në vitin 2018 u riemërtua nga Stadiumi i Qytetit në Stadiumin “Fadil Vokrri”. Ndërsa, kujtojmë se sot shtatorja e legjendës së sportit shqiptar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), do të përurohet në stadiumin “Fadil Vokrri”. / KultPlus.com