8 Shkurt, 2023 - 11:26 am
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot, marrëveshjen Shqipëri-Greqi mbi Kanalin e Korfuzit.
Më 8 shkurt të vitit 1958, Shqipëria dhe Greqia nënshkruan Protokollin mbi spastrimin nga minat të Kanalit të Korfuzit.
Për një periudhë afro katër-mujore, prej datës 15 mars deri më 7 korrik 1958, secila prej palëve kreu punimet për pastrimin e minave që mund të gjendeshin në këtë zonë që prej Luftës së Dytë Botërore, sipas koordinatave të përcaktuara të ujërave të tyre territorialë.
Pas përfundimit të kësaj kohë-shtrirjeje, prej datës 30 korrik e deri më 2 gusht, përfaqësues të qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë së bashku me homologët e tyre në kabinetin grek, u mblodhën në qytetin e Sarandës për të shqyrtuar punimet e kryera.
Në një deklaratë të përbashkët, ata komunikuan nënshkrimin e një Protokolli përfundimtar, i cili mundësonte që duke filluar nga ora 12:00 e datës 4 gusht 1958, Kanali i Korfuzit të ishte “i lirë për lundrimin e anijeve të mbiujshme”.
Në emër të qeverisë së RPSH-së nënshkroi Kapiteni i rangut të parë të Marinës, Abdi Mati, ndërsa për palën greke nënshkroi i barazvlefshmi i tij, Emanuel Dhimotaqis.
Ky akt juridik u përpilua në përputhje me disa konventa që parashikonin marrëveshje të kësaj natyre, siç ishin: Konventa mbi detin territorial dhe zonën speciale, Konventa mbi detin e hapur, Konventa mbi peshkimin dhe ruajtjen e burimeve biologjike të detit të hapur, si edhe Konventa mbi rrafshnaltën kontinentale./atsh/KultPlus.com