30 Tetor, 2023 - 11:48 am
Më 30 tetor 1957, hyri në fuqi Traktati i Paqes i nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, në Paris, më 10 shkurt 1947, Italia dhe shtetet ndërluftuese të Koalicionit Antifashist, nënshkruan një Traktat Paqeje. Aderimi i Shqipërisë në këtë traktat u miratua më 9 tetor 1947. Palët nënshkruese ishin të detyruara të fillonin bisedimet për vënien në zbatim të dispozitave të këtij traktati. Mirëpo, mungesa e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Italisë konsiderohej si pengesë gjatë bisedimeve që po zhvilloheshin në këtë drejtim.
Komunikata e përbashkët për rivendosje të marrëdhënieve diplomatike u bë publike më 2 maj 1949 dhe brenda vitit, qeveria shqiptare dhe ajo italiane shkëmbyen përfaqësuesit e tyre diplomatikë, përkatësisht Zenel Hamitin dhe Omero Formentini.
Bisedimet zgjatën disa vite, derisa më 22 qershor 1957 u arrit Marrëveshja për rregullimin e çështjeve që rridhnin nga Traktati i Paqes me Italinë.
Kjo marrëveshje hyri në fuqi me shkëmbimin në Tiranë të instrumenteve të ratifikimit më 30 tetor 1957.
Sipas marrëveshjes, qeveria e Republikës Italiane duhet t’i paguante qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë si reparacion shumën prej 2.600.000 dollarë. Pagesa do të kryhej me lëvrimin e mallrave të përmendura në aneksin A të kësaj marrëveshjeje./ atsh / KultPlus.com