15 Shtator, 2023 - 12:23 pm
Më 15 shtator 1957, u përurua Universiteti Shtetëror i Tiranës.
Nxënësit dhe publiku i kryeqytetit ishte i ftuar në këtë ditë të “dyerve të hapura” për të vizituar Universitetin, fakultetet, katedrat dhe laboratorët. Në fillesat e tij, Universiteti Shtetëror i Tiranës kishte 6 fakultete. Zanafillën për ngritjen e institucionit të parë të arsimit të lartë në Shqipëri, e gjejmë në vitin 1946 me hapjen e Institutit të Lartë Pedagogjik dyvjeçar dhe në vitin 1947, me hapjen e Institutit të Shkencave.
Universiteti u themelua me Vendim të Këshillit të Ministrave më 30 maj 1957. Gjatë viteve 1946-1956 funksiononin në Tiranë gjashtë institute të larta: Instituti Pedagogjik, Instituti Politeknik, Instituti Mjekësor, Instituti Bujqësor, Instituti Ekonomik dhe Instituti Juridik. Mbi bazën e shkrirjes së këtyre instituteve, u krijua Universiteti Shtetëror i Tiranës, ku një numër i madh profesorësh të kualifikuar në universitetet e huaja dhanë kontributin e tyre në përgatitjen e gjeneratave të reja. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell publikon dokumentin e njoftimit të Rektoratit të Universitetit për ditën e inaugurimit, mesazhe urimi nga akademikë të huaj, si edhe fotografi nga dita që shënoi një pikëkthese në historinë e arsimit të lartë në vend. / atsh / KultPlus.com