30 Maj, 2024 - 1:43 pm
Më 30 maj të vitit 1957 u themelua Universiteti Shtetëror i Tiranës, me vendim të Këshillit të Ministrave të kohës.
Në mbledhjen e kësaj date, qeveria vendosi emërimin e Zija Këlliçit si rektor të USHT-së, të Kolë Paparistos si zëvendësrektor për anën shkencore dhe të Hasan Dumës si zëvendësrektor për anën mësimore. Ky vendim do të hynte në fuqi më 1 qershor dhe përcaktonte që USHT-së t’i kalonin kuadrot dhe mjetet materiale e financiare.
Sipas projektdekretit, USHT-së do të përbëhej nga 6 fakultetet e poshtërenditura:
1) Fakulteti i Histori-Filologjisë;
2) Fakulteti Juridik;
3) Fakulteti Ekonomik;
4) Fakulteti i Inxhinierisë;
5) Fakulteti i Shkencave të Natyrës;
6) Fakulteti i Mjekësisë.
Fillesat e para për ngritjen e këtij institucioni të parë të arsimit të lartë në Shqipëri i gjejmë në vitin 1946, kur u hap Instituti i Lartë Pedagogjik dyvjeçar dhe në vitin 1947, kur u hap Instituti i Shkencave. Gjatë viteve 1946-1956 funksiononin në Tiranë gjashtë institute të larta: Instituti Pedagogjik, Instituti Politeknik, Instituti Mjekësor, Instituti Bujqësor, Instituti Ekonomik dhe Instituti Juridik.
Në vitin e parë akademik 1957-1958, universiteti kishte 3613 studentë. Studentët do të diplomoheshin në 15 specialitete. Në vitin 1967, universiteti mori formën e vet të plotë me ndërtimin e kampusit të parë të tij duke i dhënë këtij universiteti një dinamizēm më të madh. Kështu pas 20 viteve nga krijimi, në vitin 1977 numri i studentëve pa shkëputje nga puna arriti në 8880; nga të cilat rreth gjysma ishin vajza. Duhet theksuar që në këto vite të para ishin diplomuar 21368 studentë të cilët më pas u angazhuan në sektorët më të vështirë të jetës së vendit./atsh/KultPlus.com