23 Shtator, 2022 - 10:00 am
Mirash Ivanaj (12 mars 1891 – 23 shtator 1953), një personalitet i shquar në kohët kur jetoi e punoi por jehona e veprimtarisë dhe e përpjekjeve të dalluara të tij, sidomos në fushën e Arsimit, do të ndihej më shumë në vitet që do të pasonin edhe pse i harruar dhe mbase për shumë shqiptar i panjohur në ditët e sotme.
Ai ishte një nga intelektualët më të spikatur, pedagog, publicist, jurist, filozof, poet por Ivanaj dallonte dhe për cilësitë e karakterit të tij, si një njeri serioz, patriot, trim, i palëkundur në bindjet e tij, idealist, i ndershëm por mbi të gjitha ai do të mbahet mend për drejtësinë ekzemplare që shpaloste në jetën e përditshme dhe në veprimtarinë e tij në punët e shtetit.
Ivanaj rridhte nga një familje patriotike prej viseve shqiptare të Malit të Zi, ku mësimet e para i mori në Mal të Zi dhe Serbi, kurse studimet e larta i kreu me anën e një burse në Universitetin e Romës, ku fitoi dy laura për letërsi-filozofi dhe jurisprudencë duke përfunduar me rezultate të shkëlqyera pavarësisht jetesës së vështirë prej bursisti në shtet të huaj. Duhet nënvizuar se në këtë kohë Ivanaj zotëronte afro dhjetë gjuhë të huaja të përvetësuara falë intelektit të tij të shfaqur që në vogëli dhe vullnetit të tij të palëkundur. Ivanaj, gjatë studimeve në Itali dhe më pas kur u kthye në Atdhe duke ju përkushtuar punëve tepër delikate që iu ngarkuan, ka bërë një jetë të veçuar, i lidhur ngushtë me librin, fletoret, dokumentet që hartonte.
Pasi erdhi në Atdhe, në vitin 1923, u vendos në Shkodër ku themeloi, bashkë me të vëllain, Martinin, revistën “Republika” si një mjet për të shpalosur idetë e lirisë, demokracisë dhe të atdhedashurisë në realitetin e ndërlikuar shqiptar dhe për të ndriçuar me idetë republikane me të cilat ishte njohur e formuar në Itali, botën shqiptare në përgjithësi dhe politikën në veçanti. / KultPlus.com