7-8 Marsi, Banka e Shqipërisë publikon monedhën numizmatike

7 Mars, 2025 - 7:30 pm

Banka e Shqipërisë solli në vëmendje këtë 7 mars se monedha më e fundit numizmatike 100 Lekë pa kurs ligjor dhe metal argjend, e prodhuar në vitin 2023, nderon figurën e Sevasti Qiriazi- Dakos (ca.1870-1949), nismëtare e arsimit në gjuhën shqipe dhe veprimtare për emancipimin e gruas.

Sevasti Qiriazi-Dako, së bashku me familjen e saj, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për arsimin në gjuhën shqipe, në një kohë kur shkollat e vendit tonë zhvillonin mësim në gjuhë të huaja dhe sundonte analfabetizmi. E njohur në popull si mësuesja e parë e shqipes, krahas ngritjes së shkollës shqipe, ajo la gjurmë edhe si veprimtare për emancipimin e gruas. Sevasti Qiriazi mbetet dhe sot e vetmja grua që ka shkruar një gramatikë në gjuhën shqipe.

Mbi kontributin e saj në lëmin e arsimit, në vitin 1903, Edith Durham shkruante “Zonjusha Kyrias (Sevasti Qiriazi), një grua shumë e përgatitur dhe kurajoze… Mbas mbylljes së shkollës mashkullore të Korçës, kjo mbeti e vetmja shkollë në Shqipërinë Jugore, ku mund të mësohej shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Edhe pse frekuentimi i asaj shkolle sillte rrezikun që vajzat dhe prindërit të ishin të persekutuar nga autoritetet turke, klasat ishin gjithmonë plot. Vajzat e krishtera dhe myslimane mësonin të shkruanin dhe të lexonin shqip dhe i mësonin dhe vëllezërve të tyre. Shkolla e Vashave ishte kaq moderne, saqë më dukej se isha kthyer papritur në Evropë.”

Kjo monedhë është në shitje në Dyqanin e Muzeut të Bankës së Shqipërisë.

Banka e Shqipërisë uroi të gjithë arsimtarët shqiptarë, për punën e tyre të palodhur në përmbushje të misionit fisnik të edukimit të brezit të ri./ KultPlus.com

Të ngjajshme