10 Korrik, 2024 - 11:27 am
Më 10 korrik 1952, filloi punën industria e filmit shqiptar me inaugurimin e ndërtesës “Shqipëria e Re” dhe me kompleksin e studiove filmike Kinostudio, në periferi të Tiranës.
Filmi i parë i prodhuar ishte “Skënderbeu”, bashkëpunim ky me sovjetikët në vitin 1953, ndërsa filmi “Tana” i vitit 1958 mban vulën e prodhimit shqiptar duke u ndjekur nga 270 filma me metrazh të gjatë, 700 dokumentarë dhe 150 filma të animuar.
Në vitet ’80 Kinostudio “Shqipëria e Re” arriti një prodhim prej 14 filmash në vit. Pas ndryshimit të sistemit, ajo u transformua në “Albafilm”, ekzistenca e së cilës zgjati deri në vitin 1996. Në vitin 1996 kjo qendër u quajt Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Nga janari i vitit 2015 në këtë godinë të stilit neoklasik, e cila është konsideruar si unikale nga arkitektët, ndodhet Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare Shqiptare e Kinematografisë, Instituti i Monumenteve të Kulturës, etj.
“Shqipëria e Re” lë në trashëgim mbi 200 filma, një pjesë e të cilëve ishin prodhim i propagandës shtetërore, filma të realizuar me mungesa jo të vogla teknike, por me gjithë kornizat ideologjike dhe autocensurën e kineastëve, trashëgimia e Kinostudios “Shqipëria e Re”, mbetet në kujtesën e shumë brezave.