1 Tetor, 2020 - 1:10 pm
Në fshatin Dubovik të Deçanit më 1 tetor 1945 lindi Jusuf Gërvalla, i cili më vonë do të bëhej një veprimtar i çështjes kombëtare, shkrimtar, poet e këngëtar, shkruan KultPlus.
Ishte fëmiu i dytë i familjes, ndërkaq vëllezërit e tij ishin Hyseni, Bardhoshi dhe Avdyli. Shkollën fillore e kreu me sukses në vendlindje, teksa shkollën e mesme e vazhdoj në Pejë. Jusuf Gërvalla më vonë hyn në listën e studentëve në Degën e Albanologjisë në kuadër të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës. Përgjatë kësaj kohe ai e filloj punën si pëshpëritës në Teatrin Krahinor, i cili sot njihet si Teatri Kombëtar i Kosovës. Dikur ai vendos që shoqes së fëmijërisë dhe vajzës me të cilën këmbente letra t’ia jepte mbiemrin e tij. Me Suzanën, me të cilën njiheshin familjarisht, u martuan më 27 shkurt 1967, atëherë kur ajo i kishte 18 vjet, ndërkaq Jusufi 21. Nga kjo martesë ata i dhuruan jetë djalit Premtonit dhe vajzës Donikës.
Jusufi punoj në gazetën ”Flaka e Vëllazërimit”, si përkthyes nga maqedonishtja, serbishtja e sllovenishtja në shqip. Më 1 shtator 1973, Jusufi vazhdon në Rilindje si gazetar kulture. Madje, të tjerët e kujtojnë si gazetarin i cili udhëhiqte emisione muzikore dhe njëkohësisht shkruante për to. Më shumë sesa si gazetar, Gërvalla njihet si aktivist i çështjes kombëtare te publiku. Madje, në një moshë të re, ai bëhet pjesë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, e cila në atë kohë udhëhiqej nga Adem Demaçi. Në të njëjtën kohë ai dha kontribut edhe në letërsinë shqiptare.
Ai është autor i veprave “Fluturojnë e bien” (1975), “Kanjushë e verdhë”, (1978) , “Shtёpia nё kornizё”, “Skena nga jeta e fshatit” dhe “Shejat e shenjta” (1979). Këto përmbledhje u botuan në qytetet si Prishtina, Shkupi dhe Tirana.
Cështja kombëtare për të nuk mbeti vetëm aksion dhe kontribut, por edhe sakrificë jetësore, për të cilën përveç që e la keq familjen, e dha edhe jetën. 17 janari i vitit 1982 do të mbetet në kujtesën shqiptare si një datë e cila rezultoj me humbjen e tre veprimtarëve të çështjes kombëtare. Mesnata e ftohtë e janarit do të nxirrte zjarr nga arma e personave ende të panjohur, në afërsi të Untergruppenbach të Heilbronn-it, duke lënë të vrarë Jusuf e Bardhosh Gërvallën, bashkë me Haxhi Zekën.
Ndërkaq, sot nga Gërvalla kemi këngët e tij me përplotë mall për vendlindjen dhe me shije të veçantë artistike (“Do të kthehem nënë”, “Njeri ku je”, “Vena e Spanjës”, etj), veprat letrare si dhe kontributi atdhetar, ndër të cilat kujtojmë fjalimin e tij përgjatë vitit 1981: “Populli është i pagabueshëm, unë, ti, ai tjetri edhe mund të gabojmë, kurse populli që po tregohet kaq i durueshëm për realizimin e kërkesës që Kosovës t’i njihet statusi i Republikës, pa kurrëfarë dyshimi se do të dijë se deri ku shtrihen kufijtë e durimit për fitimin e statusit të Republikës”. Gërvalla do të mbetet përherë i gjallë në historinë dhe kujtesën e shoqërisë kosovare./KultPlus.com