2 Dhjetor, 2021 - 9:01 am
Sot është datëlindja 77-të e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Për të nderuar veprimtarinë e ish-presidentit Rugova, kryeministri Ramush Haradinaj do të bëjë homazhe tek varri i tij në Velani dhe pastaj do ta vizitojë familjen Rugova.
Kurse kryetari i LDK-së, Isa Mustafa bashkë me anëtarët e kryesisë së LDK-së, do të bëjnë homazhe te shtatorja e tij në Sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.
Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në École Pratique des Hautes Études, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare.
Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996 Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Pastaj, për afro dy dekada, Ibrahim Rugova veprimtarinë e veta shkencore i zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.
Ish presidenti Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006. / KultPlus.com