24 Mars, 2024 - 10:30 am
24 mars 1999.
Pak pas orës 19:00 në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, dëgjohen sirenat e para.
Ato paralajmërojnë fluturimin e aeroplanëve ushtarakë të NATO-s mbi qellin e Serbisë.
Pak para orës 21:00, dëgjohet një shpërthim i fuqishëm në fabrikën e aeroplanëve “Lola Utva”, në Pançevë të Serbisë.
Flaka dhe tymi mbulon këtë lokacion në periferi të Beogradit. Ky moment shënon fillimin e një fushate 78-ditore të bombardimit të Jugosllavisë.
Aeroplanë të NATO-s bombarduan në territorin e Serbisë, Kosovës dhe Malit të Zi.
Si erdhi deri te bombardimi?
Mes dilemash dhe kundërshtimesh nga Kina dhe Rusia, atëbotë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, më 23 mars 1999, në orën 22:17, urdhëroi një sulm ajror mbi Republikën Federale të Jugosllavisë.
Arsyetimi, në Serbi nuk ka gatishmëri për zgjidhje politike të krizës së Kosovës.
Sulmet ajrore nisën pa aprovimin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Vendimi për bombardim u ndërmor pas refuzimit të asokohe presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, që të zgjidhej politikisht kriza e Kosovës.
Fakte të rëndësishme
Më 1999, në Kosovë llogaritej se ishin rreth 40 mijë trupa ushtarake jugosllave.
Në mars 1999, UNHCR-ja përllogariste rreth 475 mijë kosovarë të zhvendosur pas ofensivës së forcave ushtarake dhe policore serbe. Ky numër vazhdoi të rritej dhe deri në fund të luftës, rreth një milion kosovarë ishin larguar nga vendi.
Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë mbi 13.500 persona – 76 për qind e të cilëve besohet se kanë qenë civilë. Për më shumë se 1.600 persona të zhdukur në luftë vazhdon kërkimi.
Çka bombardoi NATO-ja?
Bombardimet kishin tri objektiva kryesore: mbrojtjen ajrore jugosllave, sistemet e komandës dhe kontrollit dhe forcat ushtarake serbe të dislokuara në Kosovë.
Sulmet kryesore
24 mars: Bombardohet fabrika për prodhimin dhe riparimin e aeroplanëve në Pançevë, si dhe bombardohen objekte të tjera me rëndësi ushtarake në Serbi.
25 mars: Bombardohet një lokacion në Rozhajë të Malit të Zi, shumë pranë kufirit me Kosovën.
26 mars: Shkatërrohet depoja e karburantit në Lipovicë të Serbisë. Dëmtohet një pjesë e rrjetit elektrik në Batajnicë.
28 mars: Goditet fabrika ‘Sloboda’ në Çaçak, një prodhues i madh i pajisjeve elektroshtëpiake në Serbi.
1 prill: Granatat godasin një urë midis Novi Sadit dhe Petrovaradinit në Serbi.
3 prill: NATO-ja godet ndërtesa qeveritare në Beograd.
4 prill: Në Beograd bombardohet selia e Ushtrisë Jugosllave. Shkatërrohet depoja ‘Beopetrol’ në Beograd dhe Bogutovc në Kraljevë. Bombardohet depoja e karburantit në fabrikën e kaldajave në Beograd të Ri. Sulmohet rafineria e naftës në Pançevë. Sulmohet aeroporti i Sllatinës afër Prishtinës. Sulmohet ‘NIS Jugopetrol’ në Smederevë të Serbisë.
5 prill: Goditet një fabrikë e kaldajave dhe rafineria e naftës në Novi Sad. Goditen depo tjera të ‘Naftagas promet’ 10 km larg Somborit. Sulmohet aeroporti kryesor i Beogradit. Goditet ‘NIS Jugopetrol’ në Prishtinë. Goditet një fabrikë e duhanit në Nish të Serbisë. Goditet fabrika kimike ‘Milan Blagojeviq’ në Lluçan të Serbisë.
6 prill: Sulmohet depoja e ‘Beopetrol’ në fshatin Krushë e Madhe në Rahovec. Sulmohet fabrika e kimikateve ‘Milan Blagojeviq’ në Lluçan të Serbisë.
7 prill: Bombardohet depoja e ‘Jugopetrol’-it në Sombor të Serbisë. Bombardohen disa lokacione në Prishtinë dhe në Novi Sad të Serbisë.
8 prill: Sulmet e NATO-s vazhdojnë në Kralevë, mbi objektet qeveritare në Beorgad dhe qytete përreth. Fabrika ‘Zastava Automobili’ në Kragujevc të Serbisë pak kohë pasi u bombardua.
9 prill: Aeroplanët e NATO-s bombardojnë kompaninë ‘Zastava Automobili’ në Kragujevc të Serbisë, ‘NIS Jugopetrol’-in në Smederevë dhe transmetuesit e RTS-it në majën e Goleshit, pranë aeroportit të Prishtinës.
10 prill: Bombardohen aeroportet e Prishtinës, Nishit dhe Kralevës.
11 prill: Sulmohet kompleksi malor ‘Divcibare’ afër malit Zlatibor dhe një zonë banimi në Novi Sad.
12 prill: Bombardohen disa lokacione në Kosovë dhe në Serbi, në mesin e tyre një tren, depoja e ‘Jugopetrol’-it në Prishtinë, një hotel në Kopaonik të Serbisë. Sulme të tjera në depo nafte në Novisad, Pançevë dhe Kragujevc.
13 prill: Sulme të tjera në depo nafte në Kosovë dhe Serbi. Kolona me civilë shqiptarë pak kohë pasi u godit gabimisht nga NATO.
14 prill: Goditet gabimisht një kolonë me civilë në Kosovë. Sulmet vazhdojnë në Prishtinë, kryesisht mbi depo nafte.
15 prill: Sulmohen disa lokacione në Serbi.
16 prill: Sulmohet sërish rafineria e naftës në Pançevë dhe ajo në Novi Sad. Rafineria e naftës në Pançevë pak kohë pas bomardimit.
18 prill: Sulmohen disa lokacione në Pançevë të Serbisë, por edhe të tjera në afërsi të aeroportit të Sllatinës në Kosovë.
19 prill: Sulmohet një lokacion në Suboticë dhe fabrika e kimikateve në Bariç të Serbisë. Shkatërrohet transmetuesi i komunikimeve afër Prishtinës.
20 prill: Sulmohen minierat e thëngjillit në Bardh në afërsi të aeroportit të Sllatinës, në periferi të Prishtinës. Bombardohen objekte qeveritare në Prishtinë dhe një rafineri e naftës në Novi Sad. Selia kryesore e Partisë Socialiste të Serbisë në Beograd pak kohë pas bombardimit.
21 prill: Sulmohet selia kryesore e Partisë Socialiste të Serbisë në Beograd të Serbisë.
22 prill: Sulmohet një nga rezidencat e presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq. Sulme në Prishtinë dhe Novi Sad. Objekti i RTS-it pas sulmit të NATO-s.
23 prill: Bombardohet Radio Televizioni i Serbisë – RTS, në Beograd. Sulmohet një urë në Novi Sad dhe lokacione të tjera në Serbi.
25 prill: Sulmohet zona industriale në Nish.
26 prill: Bombardime në Sombor, Novi Sad, Nish dhe Kragujevc të Serbisë. Sërish bombardohet aeroporti i Sllatinës në Kosovë.
27 prill: Bombardime të rënda në Beograd dhe Surdolicë në Serbi. Në Kosovë: bombardime në Sllatinë, Deçan, Pejë, Lipjan. Bombardohen disa pika pranë Podgoricës në Mal të Zi.
28 prill: Bombardohet rafineria e naftës në Novi Sad, një transmetues televiziv në majën Frushka Gora, dhe bombardohet një depo nafte në qytetin Pozhegut. Në Kosovë bombardohet një lokacion në Mitrovicë, Prishtinë dhe miniera në Stantërg. Një granatë bie gabimisht në Sofje të Bullgarisë. Bombardohet një pjesë e aeroportit të Gollubovacit, afër Podgoricës në Mal të Zi, si dhe në Bar dhe Bijelo Polje.
30 prill: Bombardohen objekte qeveritare në Beograd. Bombardohet ura mbi lumin Lim në Murino, Mal të Zi.
1 maj: Gabimisht bombardohet një autobus i Nish Express-it në urën e Lluzhanit, në periferi të Prishtinës. Bombardohet një rafineri nafte në Novi Sad.
2 maj: Bombardohet kryesisht rrjeti i energjisë elektrike. Goditet një autobus në Pejë dhe një depo nafte në Prishtinë dhe Rahovec. Bombardohet një seli e RTS-it dhe rafineria e naftës në Novi Sad.
5 maj: Bombardohet sërish ‘Jugopetrol’-i në Nish.
7 maj: NATO-ja gabimisht bombardon Ambasadën e Kinës në Beograd. Vriten tre gazetarë kinezë. Sulme të rënda në Nish. Bombardohet një urë rrugës që çon në Rumani. Bombardohen disa pika në Beograd.
8 maj: Sulme intensive në Beograd, kryesisht mbi rrjetin elektrik.
10 maj: Bombardohet fabrika e kimikateve ‘Prva Iskra’ në Bariç.
13 maj: Bombardohet një lokacion në Korishë të Prizrenit. NATO-ja thotë se aty ishte një vendkomandë e ushtrisë dhe policisë serbe. Vriten dhe lëndohen shqiptarë lokalë. Dy burra largohen nga vendi ku po qëndronin në Korishë.
14 maj: Bombardohet një kamp refugjatësh në magjistralen Prishtinë – Prizren, afër fshatit Korishë.
15 maj: Bombardohen depot e ‘Jugopetrol’-it në Bor dhe Beograd.
17 maj: Bombardohet sërish ‘Jugopetrol’-i në Bor.
19 maj: Bombardohet depoja ‘Jugopetrol’ në Beograd.
20 maj: Sulmet ajrore dëmtojnë rezidencat e ambasadorit të Zvicrës, Spanjës, Suedisë, Norvegjisë, Hungarisë në Beograd. Dëmtohet edhe Ambasada e Libisë, si dhe objekti i misionit diplomatik të Izraelit.
21 maj: Goditet rrjeti përçues i energjisë elektrik në Nish. Sulmohet një central në Beograd.
22 maj: Goditet dhe dëmtohet rrjeti elektrik në Beograd dhe pjesë tjera të Jugosllavisë.
23 maj: NATO-ja fillon bombardime intensive të rrjetit elektrik. Shumë qytete mbesin pa rrymë dhe pa ujë.
24 maj: Bombardohet rëndë fabrika ‘Millan Bllagojeviq’ në Lluçani të Serbisë.
27 maj: Bombardohet depoja e naftës ‘Jugopetrol’ në Bor. Sulmohet rrjeti elektrik në Beograd. Sulmi në Beograd.
30 maj: Bombardime në Beograd, në një urë në Serbinë qendrore dhe sanatoriumi në Surdulicë.
31 maj: Bombardohen transmetuesit në Nish. Ushtarë të KFOR-it pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut.
10 qershor: NATO-ja ndërpret sulmet ajrore ndaj Jugosllavisë. OKB-ja miraton rezolutën 1244 që parasheh vendosjen e një administrate ndërkombëtare në Kosovë. Fillon tërheqja e trupave serbe nga Kosova.
Kundërpërgjigja serbe
Ushtria serbe tentoi t’u kundërpërgjigjej sulmeve ajrore të NATO-s. Sipas dokumenteve, brenda Kosovës u përdorën sistemet individuale me rreze më të gjatë për të qëlluar në aeroplanët e NATO-s në një mënyrë të paparashikueshme.
Armatimi i përdorur për të sulmuar aeroplanët ishte me rreze të shkurtër, si dhe me sisteme të lëvizshme të mbrojtjes ajrore.
Në një raport të NATO-s thuhet se në vend që të zhvendosnin përpjekjet kundër këtyre sistemeve serbe, komandantët e NATO-s zgjodhën të operonin në lartësi përtej të cilave shumica e sistemeve kundërajrore serbe nuk mund të ishin efektive.
Tentimi i ushtrisë serbe për t’u fshehur
Të përballura me sulme intensive nga ajri, trupat ushtarake serbe mundoheshin që gjatë fushatës së bombardimeve t’i hutonin pilotët e NATO-s.
Ata bënin kamuflime të ndryshme përfshirë këto si në fotografitë në vijim:
Këto metoda kamuflazhi paraqiten në një raport të vitit 2000 të Departamentit amerikan të Mbrojtjes që shpjegon organizimin dhe qëllimin e bombardimit të Jugosllavisë.
“Serbët përdorën gjerësisht kamuflimin për të fshehur objektivat taktike, si automjetet ushtarake, dhe objektet fikse, si urat. Përveç kësaj, serbët përdorën mashtrime….për të krijuar një sërë objektivash false”, thuhet në këtë raport .
Efikasiteti i sulmeve
Pas përfundimit të Operacionit të Forcave Aleate, NATO lëshoi një vlerësim paraprak të efektivitetit të sulmit të saj kundër një numri objektivash.
Këto objektiva të shkatërruara ose të dëmtuara dukshëm përfshinin:
11 ura hekurudhore
34 ura autostrade
29 për qind e të gjithë depozitimit të municionit serb
57 për qind e rezervave të naftës
Të gjitha rafineritë jugosllave të naftës
14 poste komanduese
Mbi 100 avionë
Dhjetë fusha ajrore ushtarake
Aeroplanët që garantuan suksesin e NATO-s
Duke pasur shumë shtete anëtare dhe aeroplanë të shumtë në dispozicion, në një raport të NATO-s të vitit 2000 përmenden tri lloje aeroplanësh që kanë luajtur rol kyç në suksesin e bombardimit të Jugosllavisë. Në fushatën ajrore ishin përdorur edhe dronët.
Në vijim janë tri modele që janë përshkruar si kyçe për sukses nga NATO-ja.
Bombardimet e gabuara
Bombardimet e NATO-s nuk ishin gjithmonë të sakta. Ato shkaktuan viktima edhe në mesin e civilëve, si në territorin e Kosovës, po ashtu edhe në Serbi.
Në vitin 1999, vetë NATO-ja vlerësonte se bombardimet kishin shkaktuar rreth 520 viktima civile.
Në disa raste pilotët e NATO-s sulmuan gabimisht caqe që shkaktuan dhjetëra viktima.
Më 14 prill 1999, një incident i tillë ndodhi në periferi të Prizrenit, kur nga bombardimi i NATO-s u vranë mbi 80 civilë shqiptarë.
Një bombardim tjetër i gabimshëm i një autobusi mbi urën e Lluzhanit në magjistralen Prishtinë – Podujevë, vrau rreth 40 civilë, shumica shqiptarë.
Më 5 prill 1999, dhjetë civilë u vranë gjatë një sulmi në kompleksin ushtarak Aleksinac “Deligrad” në Serbi dhe 30 u plagosën.
Më 12 prill, u bombardua një tren në Ristovac që udhëtonte drejt Beogradit duke lënë të vrarë 20 persona.
Më 23 prill, nga sulmi i NATO-s mbi RTS-in në Beograd u vranë 16 civilë.
Në prill, po ashtu, u vranë 11 civilë në Surdulica të Serbisë.
Në Murino të Malit të Zi vriten gjashtë civilë më 30 prill.
Në fillim të majit në Nish të Serbisë vriten 14 civilë.
Këto janë vetëm disa nga incidentet dhe nuk paraqesin të gjitha rastet kur bombardimet e pasakta të NATO-s vranë civilë, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi e Mal të Zi.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.
Marrëveshje u pasua me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kjo Rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administronte fazën transitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.
Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.
KFOR-i është i pranishëm edhe sot dhe kujdeset për sigurinë e Kosovës. /RadioEvropaeLirë/ KultPlus.com