17 Janar, 2025 - 2:37 pm
17 janari është dita e lindjes së aktorit të mirënjohur të skenës dhe ekranit, Roland Trebicka.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, kujtoi sot aktorin e dashur nga publiku, përmes një kolazhi të roleve të tij në teatër e kinematografi.
Ai e cilësoi Trebickën si një ikonë të artit skenik shqiptar që i ka dhuruar publikut emocione të paharrueshme dhe role e personazhe të pavdekshme.
“Mjeshtër i skenës dhe i ekranit, i nderuar me titullin Artist i Merituar, Roland Trebicka mbetet ndër aktorët më të dashur për publikun shqiptar”, shkroi ministri Gonxhja.
Trebicka u nda nga jeta në moshën 65-vjeçare, pasi humbi betejën me sëmundjen e rëndë, e cila e mundonte prej kohësh.
Roland Trebicka lindi në Korçë, më 18 janar 1947. Karriera e tij si aktor filloi me rolin e Kostës, në filmin “Debatik”, më 1961. U bë anëtar i trupës së Teatrit Kombëtar më 1971. Në jetën e tij artistike, kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë “Pallati 176”.
Rolet e aktorit Roland Trebicka në teatër janë të shumtë. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos tek “Magjia e madhe”, Zganarelit tek “Don Zhuani”, Hlestakovit tek “Inspektori”, “Revizori” te “Një burrë me trandafil”, “Ne të gjithë këndonim Margaritën”, “Darka e të marrëve”, “Jashtë bie borë”, “Stjuardesat”, Kontin Almaviva “Berberi i Seviljes”, Vinsenti “Të gjithë me huqe”, “Një tablo absurde”, “Endrra e Ismail Qemalit” etj. Në vitin 2002, për rolin e Rojës te “Mbreti po vdes”, Trebicka ishte kandidat për Çmimin “Aktori më i Mirë Mbështetës” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental, Kajro. Ka interpretuar edhe në disa filma, ndër të cilët: “Ëndërr për një karrige” (Vaska) dhe “Koncert në vitin 1936” (Nesti). Për kontributin e tij në skenë, ai është nderuar me titujt “Artist i merituar”, “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i qytetit të Korçës”./atsh/KultPlus.com