81 vite nga lindja e një prej figurave më të shquara të popullit shqiptar, Ukshin Hotit

17 Qershor, 2024 - 9:24 am

Sot janë bërë 81 vite nga lindja e një prej figurave më të shquara të kombit shqiptar, Ukshin Hotit, shkruan KultPlus.

Ukshin Hoti ka lindur në Krushë të Madhe më 17 qershor 1943. Ai ka qenë filozof dhe aktivist shqiptar, profesor i të drejtës ndërkombëtare dhe më pas i filozofisë në Universitetin e Prishtinës, si dhe themelues i UNIKOMB, një partie politike në Kosovë.

Për shkak se përkrahu demonstratat e vitit 1981 në Prishtinë, u arrestua për të parën herë nga autoritetet jugosllave më 21 nëntor tok me  Halil Alidemaj, Ekrem kryeziu, etj. Më 1994 u dënua me 5 vite në burgun e Dubravës. Më 16 maj 1999, kur dënimi i tij mbaronte dhe duhej të lirohej, u mor peng nga rojet e burgut dhe prej atëherë nuk dihet asgjë për fatin e tij.

Është i pari që shkroi për konceptin e demokracisë autentike në viset shqiptare që nga 1994. Si studjues mbahet mend për veprën ‘Filozofia politike e çëshjes shqiptare’ botuar më 1995 në Tiranë.

Ukshin Hoti lindi në Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte i biri i Nazif Hotit dhe Fatime Rrustem Danës nga Xërxa. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prizren dhe më pas në Prishtinë. Pas diplomimit vijoi studimet në vitin 1964 në Zagreb ku u diplomua për shkencat politike dhe u dallua si student i veçantë. Më pas, në vitin 1968, kreu dhe dy vite postuniversitare në Beograd ku ndoqi fushën e tij të preferuar të marrëdhënieve ndërkombëtare në fushën e ekonomisë dhe politikës.

Nisi punë në administratën e parlamentit të Kosovës dhe më 1975 nisi të jepte të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës. Më 1978/1979 vijoi specializime postlaureate për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Chicago, Harvard dhe Washington, pasi kishte fituar bursen Fulbright.

Në vitet ’70 Ukshin Hoti kishte qenë i angazhuar në disa pozita të ndryshme politike dhe arsimore në Kosovë ku fillimisht kishte rënë në kundershtim me udhëheqesit jugosllavë në Kosovë dhe me sistemin e regjimit jugosllav në Kosovë.

Kujtojmë që Ukshin Hoti për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviçit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg.

Me 16 maj 1999, atëherë kur lufta po zgjaste që gati një vit, Ukshin Hoti arrin tek fundi i dënimit të tij, ai do të shoqërohet nga dy roje drejt daljes, ditën e diel, me 16 maj, një ditë jo e zakonshme për lirimin e të burgosurve. Ai edhe sot vazhdon të  figurojë në listën e Personave të Pagjetur, nga lufta e vitit 1998-1999 në Kosovë./KultPlus.com

Të ngjajshme