22 Gusht, 2022 - 9:00 am
Si sot, 83 vite më parë, në Shqipëri, u hodhën për të fundit herë në qarkullim, monedha prej argjendi.
Më 22 gusht 1939, Banka Kombëtare e Shqipnis (1925-1945), hodhi për të fundit herë në qarkullim, monedha prej argjendi. Ato ishin të prerjeve prej 5 dhe 10 lekë. Në bazë të Dekretit të Mëkëmbësit dhe Ligjit të ri për rregullimin monetar të vitit 1939, ato zëvendësuan monedhat e argjendit 1 dhe dy franga ar, emetime të viteve 1926, 1927, 1935 dhe 1937. Më pas, monedhat e qarkullimit u shtypën vetëm në metal të thjeshtë.
Faqja e këtyre monedhave, siç përshkruhet në ligj, mban bustin në profil të Mbretit Viktor Emanueli III me mbishkrimet “VITT•EM•III RE E IMP•MBRET E PER•”. Shpina mban shqiponjën dykrenare të Skënderbeut dhe dy fasha liktoriane anash saj, si dhe mbishkrimet: “SHQIPNI 1939 XVII 5 LEK/ 10 LEK ALBANIA” dhe emrin e gdhendësit G. Romagnoli. Buzët e monedhës kanë mbishkrimin “MBRETNIA SHQIPTARE”. Atsh / KultPlus.com