15 Prill, 2025 - 1:25 pm
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit uroi sot përmes rrjeteve sociale profesor Robert Radojën me rastin e ditëlindjes.
“Sot ka datëlindjen nji prej figurave ma të mëdhaja të artit shqiptar, nji emër që nuk i përket vetëm Shkodrës, por tanë Shqipnisë. Profesor Radoja asht një pasuni kombëtare, nji artist që ka lanë gjurmë të pashlyeshme në muzikë, kulturë dhe në zemrat e të tanve që kanë pas fatin me e ndigju artin e tij, me marr mësim prej tij, ato që e njohin e që punojnë me profesorin. Profesor, lum Shqypnia që të ka!”, ky është urimi online i MEKI-t shkruar në gegërisht, me rastin e 87-vjetorit të profesor Robertit.
Robert Radoja lindi në Bolonjë, më 1938-n. Në vitin 1951 filloi studimet në Liceun Artistik në Tiranë për piano. Në vitin 1962 fillon studimet e larta në Konservator ku edhe diplomohet për piano në vitin 1966. Po në këtë vit fillon punën në Pallatin e Pionierëve në Tiranë në Sektorin e Muzikës. Gjatë kësaj periudhe ai orkestron këngë të muzikës së lehtë duke qenë prezent në rreth 40 festivale si ato të Radio Televizionit Shqiptar, ashtu dhe ato të Këngës për Fëmijë.
Në vitin 1981 emërohet redaktor i muzikës në kinostudion “Shqipëria e Re”. Në këtë detyrë ai punoi deri në vitin 1986. Robert Radoja që prej vitit 1985 ishte edhe pedagog në Akademinë e Arteve, Dega Piano, si dhe pedagog për Muzikën e Dhomës dhe Shoqërime në klasën e Flautit. Kompozimi i tij i parë në muzikën filmike do të jetë në vitin 1970 me muzikën e filmit “Guximtarët”. Në Festivalin e 41-të në Radiotelevizion, të zhvilluar në Tiranë në vitin 2002, puna e tij e palodhur në vite do të vlerësohej me “Çmimin e Mirënjohjes”, gjithashtu është nderuar edhe me urdhrin “Naim Frashëri” dhe titullin “Mjeshtër i Madh”./atsh/KultPlus.com
Njoftime