8 Shkurt, 2024 - 5:30 pm
88 vjet më parë jepej shfaqja e parë teatrale në qytetin e Fierit. 8 shkurti i vitit 1936 shënon në kalendarin historik të Fierit, por edhe në teatrin fierak, shfaqjen në skenë për herë të parë të pjesës teatrale ‘’Fe dhe Kombësi’’, të autorit Kristo Floqi.
Trupa përbëhej nga një grup të rinjsh të apasionuar pas teatrit si: Avdulla Rama, Mina Veshi, Llaqi Kola, Hysen Xheka, Jorgji Koshovari, Jorgji Panda, Jorgji Andrea, Sotir Argjendari, Stavri Poro, Andon Poro, Zoi Gjerazi, Nasi Bogo, Paskal Pogaçe. Regjisor i shfaqes ishte Llaqi Kola, i diplomuar në Shkollën Normale të Elbasanit, i cili ishte marrë me teatër qysh gjatë viteve të shkollës.
Me këtë dramë do të zhvillohej edhe turneu i parë artistik në qytetet e Lushnjes dhe Beratit. Në vitet 1937-1938, nga kjo trupë, u vunë në skenë edhe dy vepra të tjera teatrore si; komedia “Doktor pa dorashka” dhe “Lulja e kujtimit”. Bashkia Fier publikoi në këtë përvjetor edhe një foto marrë prej Muzeut Historik të Fierit, e cila tregon trupën teatrale pas shfaqjes së parë./KultPlus.com