8 Gusht, 2020 - 8:26 pm
Kenneth Felts mburret që është homoseksual, edhe pse iu desh tërë jeta për ta pranuar këtë gjë.
Në moshën 90-vjeçe, ai më në fund u çel për një pjesë të rëndësishme të jetës së tij të cilën e ka mbajtur të fshehur, shkruan NBC News.
“E kam mbajtur këtë të fshehtë shumicën e jetës time, dhe madje doja ta merrja me vete në varr”, shpjegoi ai.
Por banori i Colorados së fundmi kishte ndryshuar mendje. Gjatë muajve të fundit në karantinë, ai vendosi ta shkruante një memoar, i cili nuk do të ishte i kompletuar pa zbulimin e orientimit të tij seksual.
Andaj, ai e shkroi të vërtetën. “Në vitin 1942, kur isha 12-vjeç, kuptova se isha homoseksual”, shkroi gjyshi 90-vjeç tash.
Si një fëmijë i cili u rrit në një familje shumë religjioze në Kansas, ai nuk u ndie rehat t’ia thotë ndokujt ose të kërkojë ndonjë lidhje të tillë, së paku deri sa nuk u largua nga shtëpia.
Eventualisht, ai kishte pasur lidhje intime me njerëz tjerë, por kurrë nuk foli për këto gjëra, sepse në vitet e 50-ta dhe 60-ta kjo dukej e pamundur.
Andaj kjo pjesë e jetës së tij mbeti sekrete, edhe pasi iu bashkua Flotës Detare dhe u takua me një njeri të quajtur Philip, me të cilin u dashurua dhe ia përkushtoi dy vite të jetës.
Ajo që i ndau ishte vetë Felti, i cili duke shkuar në kishë kuptoi se nuk do të mund të bashkojë dashurinë e tij me besimin.
Viteve që pasuan, ai u martua me një grua, patën një vajzë dhe pastaj u divorcuan. Edhe pse ai kurrë nuk tregoi të vërtetën, vajza e tij, e para pati guximin dhe i kumtoi se është homoseksuale në vitin 1995.
Por atij iu deshën edhe 25 vjet që të jetë i sinqertë me të bijën e vet.
“Një ditë flisja me Rebeccan dhe duke folur thash, do të doja të mos ta kisha braktisur Philipin asnjëherë”, tha Felts.
Pasi që e bija e kuptoi të vërtetën, ai vendosi t’u tregojë edhe shumë njerëzve tjerë.
Kjo u pranua me shumë mirësi nga të tjerët, të cilët e pranuan e madje edhe ofruan të gjejnë Philipin, por pastaj u zbulua se ai kishte vdekur.
“Kjo ishte një goditje e madhe për mua”, tha Felts me lot në sy. “Më vjen keq që nuk pata shansin që t’i them lamtumirë”.
Megjithatë ai ka qenë frymëzim për shumë njerëz LGBT që të jetojnë jetën e tyre të vërtetë më herët se që e ka bërë ai. /koha/ KultPlus.com