11 Korrik, 2024 - 10:42 am
Sot janë bërë 94 vite nga vdekja e patriotit, veprimtarit të Rilindjes Kombëtare, poetit dhe dramaturgut Andon Zako Çajupi.
Andon Zako Çajupi u lind më 26 mars të vitit 1866 në Sheper të Zagorisë. I ati, Harito Zako, ishte një tregtari duhani i cili punonte në Kavallë dhe në Egjipt. Andon Zako, i njohur më vonë me emrin letrar, Çajupi, nga emri i një mali në krahinën e Zagorisë. Mësimet fillore i mori në shkollën greke në Nivan të Zagorisë. Më 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioi frëngjisht për pesë vite. Gjatë qëndrimit të tij në Aleksandri u takua me mjaft avoketër të huaj, që i dhanë bindjen të vazhdonte studimet për jurisprudencë në Zvicër, ku Çajupi shkoi më 1887 dhe vazhdoi studimet për pesë vite në këtë disiplinë.
Në historinë e letërsisë shqiptare Çajupi zuri vend edhe si dramaturg. Rëndësi të veçantë kanë sidomos komeditë e tij: “14 vjeç dhëndër” dhe “Pas vdekjes”, shkruar më 1910, botuar më 1937. “Pas vdekjes” është një komedi politike.
Penës së Çajupi i përket edhe tragjedia “Burri i dheut” (botuar më 1937), pastaj poema epope “Baba Musa Lakuriq”, si dhe shumë vepra të tjera. / KultPlus.com