19 Shtator, 2023 - 10:57 am
Më 19 shtator 1929, botohet në Tiranë gazeta “Arbënia”.
Ky organ shtypi u shqua për oponencën ndaj administratës së vjetër të trashëguar nga Perandoria Osmane. Këta funksionarë qenë objekt i penës shpotitëse të së përditshmes, në faqet e të cilës, ata cilësoheshin si “analfabetë” dhe “anadollakë”.
Sipas gazetës, përmes këtyre individëve kishte depërtuar në makinën shtetërore korrupsioni galopant dhe stanjacioni intelektual, duke e katandisur administratën, sipas fjalëve të Mehmet Konicës (gazeta “Arbënia” , dt. 08.05.1930) “…në një makinë të bërë me vegla të ndryshme, të shtrembra dhe këtu-atje ndonjë vegël e re”.
Për nga ndikimi në opinionin shoqëror dhe nga fryma antiqeveritare që përçonte, gazeta u ndalua nga ministri i Brendshem i kohës, Musa Juka. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell foto nga korrespondenca mes Legatës Italiane dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, mbi ndalimin e botimeve të gazetës “Arbënia”./atsh/KultPlus.com