25 Mars, 2022 - 10:00 am
Shqiptarët e Kosovës e kanë meritën e tyre të pamohueshme në pavarësinë e Shtetit shqiptar. Në këtë rrugëtim të Shtetit shqiptar, gjurmë të pashlyeshme ka lënë edhe atdhetari ynë i madh, Idriz Seferi.
Gjilani me rrethinë zë vend të rëndësishëm në Lëvizjen Kombëtare. Ky territor verilindor i viseve shqiptare ka qenë pjesë e pandashme, rrugëkalim i përpjekjeve e lëvizjeve për të drejta dhe pavarësi kombëtare dhe në çdo kohë ka qëndruar në ballë të kësaj detyre, duke i dhënë atdheut bijtë e tij më të mirë.
Njëri ndër udhëheqësit kryesor, që organizoi luftën e popullit për çlirim e bashkim kombëtar dhe për mbrojtjen e viseve shqiptare nga pushtuesit e huaj, ishte kryetrimi dhe tribuni popullor i kësaj ane, Idriz Seferi.
“Kalorësi i Karadakut” është figura më emblematike e luftës për liri e për Shqipëri, njeri i epokës 100-vjeçare, bashkë me Isa Boletinin, Hasan Prishtinën dhe shumë të tjerë, epokë kjo që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Pa Shqipërinë e pavarur zor se sot të kishim Kosovën shtet.
Historiani Aliriza Selmani thotë se Idriz Seferi ishte organizator i zoti, që frymëzoi, mobilizoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anamoravë, Kosovën Juglindore dhe trojet e tjera shqiptare.
Ai deri në vdekje luftoi për liri dhe pavarësi. Nuk ishte vetëm prijës popullor e luftëtar i lirë, por ishte edhe strateg ushtarak që me sukses e udhëhoqi popullin e tij në luftëra e beteja për çlirim. Kushtrimit të Idrizit populli i kësaj ane iu përgjigj gjithmonë. Ai fliste me gjuhën e popullit dhe e njihte mirë shpirtin e tij.
Seferi vdiq duke i thënë të birit se tërë jetën është munduar që ta bëjë këtë tokë Shqipëri, por zor qenka. Historiani Rasim Rexhepi thotë se Idriz Seferi nuk luftoi për pasuri, por për komb e për atdhe. Pesë djemve të tij u la vetëm një shtëpi të vogël. Ofertës së mbretit të Serbisë për t`ia shkolluar djemtë Qazimin dhe Ramadanin në Akademinë Ushtarake, ai i përgjigjet duke i thënë se lufta mes shqiptarëve dhe mbretërisë serbe nuk ka përfunduar ende.
“S’PO MUJ ME IA KTHY SHPINËN MILETIT…”
Shkrimtari Sabit Rrustemi thotë se e ka pyetur njëherë bacën Lush pse Idriz Seferi nuk shkoi në Vlorë, si Isa Boletini. E ai i kish pas thënë: Kur kishin fol me Hasan Prishtinën, ai u kish pas thanë cili po shkoni me ruajt Ismajl Qemalin, edhe Qeverinë? “I pari kish kcy Isë Boletini. Qe, le t’ fol Idriz Seferi. Edhe ky i joni i kish dredh mustaqet njëherë, kish kesh pak ndër buzë se e kish pa qefin e Isës për me shkua… – Mirë pra, po foli mbasi po kërkon prej meje Isa Boletini… Unë po rri me këta trima se nuk muj m’i lanë vetëm. Le t’ shkojë Isa se asht edhe pak ma i ri. S’po muj me ia kthye shpinën këtij mileti…” / Kosova Sot / KultPlus.com