3 Janar, 2021 - 10:59 am
“Pianoja dhe unë jemi një. Jemi të pandashëm”, thotë 96-vjeçari Jegal Sam nga Koreja e Jugut. 96-vjeçari ka 82 vjet që kur ka nisur të bënte hapat e parë me piano.
Ai në moshën 14-vjeçare nisi diçka të cilën e praktikon edhe sot, e nuk e ka në plan ta ndalë. Thotë se madje pianoja njëherë i kishte shpëtuar jetën.
Pas diplomimit ishte bërë mësues muzike. Por më pas nisi lufta e Koresë. Ai ka treguar se në atë kohë policia vetëm kapte djemtë e rinj në rrugë dhe i dërgonte me dhunë në fushëbetejë.
“Edhe unë isha kapur teksa po dërgoja disa libra në një vend. Kur po bëheshin gati të më dërgonin, dëgjova papritmas një zë: ‘Mësues’! dhe polici e pyeti nxënësin më pas: ‘A është ky mësuesi yt?’ Ai u përgjigj: ‘Po ai është mësuesi im i muzikës’. Ai djalë më shpëtoi jetën”, tregon ai, për kohën kur mësimdhënësve nganjëherë u mundësohej t’i shpëtonin dërgimit në luftë.
“Jam 96-vjeçar tani, por jam i bindur se do të vazhdoj deri të mbush 100”, ka thënë ai në një rrëfim për BBC-në. “Nuk është truri im që mban mend notat muzikore, janë gishtat”.
Tani, edhe pse i pensionuar, Sam thotë se dëshiron të vazhdojë me pianon deri në fund të jetës./ KultPlus.com