2 Mars, 2022 - 9:50 am
Luigj Gurakuqi ishte veprimtar i çështjes kombëtare, hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet dhe Hero i Popullit shqiptar. Ai shkroi deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë. Dora e tij shkroi alfabetin e miratuar nga Kongresi i Manastirit.
Është një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes sonë kombëtare, arsimore e kulturore në fundin e Rilindjes Kombëtare dhe të fillimeve të Pavarësisë duke përjetuar ngjarjet më kulmore të jetës së vendit në çerekun e parë të shekullit tonë në shumicën e të cilave në mos organizator, qe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë. Në shkrimet e tij përdorte emrat e pendës Jakin Shkodra e Lek Gruda.
Lindi në Shkodër më 20 shkurt 1879, ndërsa në një dorëshkrim shënohet data 19 shkurt 1880 dhe u rrit në gjirin e një familje tregtare të kulturuar shkodrane, nga prindërit Pjetër e Leze Gurakuqi. Me edukimin e tij u mor në mënyrë të veçantë i ati. Pjetër Gurakuqi ishte një tregtar me kulturë relativisht të ngritur, me një rreth të gjerë shokësh e miqsh në mes tregtarëve e intelektualëve të Shkodrës, me një jetë aktive në pazarin e qytetit dhe me marrëdhënie tregtare me Venedikun e Milanon. Shtëpia e këtij tregtari të kulturuar e të shëtitur gumëzhinte nga hyrjet e daljet e njerëzve që vinin të diskutonin hallet e kohës e të merrnin vesh lajmet e botës. I ndodhur përherë pranë të atit, dëgjonte me vëmendje bisedat e diskutimet për ngjarje të së kaluarës dhe të ditës, për luftërat heroike të popullit kundër pushtuesit otoman dhe grabitqarëve ballkanikë dhe për burrat që i udhëhoqën ato. Duke kujtuar këto vite, Gurakuqi student do të shkruante:
“Më çohet mall me kenë në shpi e me ndigjue baben tue kallzue, si përpara, në ngjarjet e Pashallarvet të Shkodres, trimnitë e malcorvet e luftat e Malit te Zi, sende qi kishte ndî prej t’et e që edhe ai vetë shume kish pa”.
Shkollën fillore e të mesme jo të plotë i ndoqi në Kolegjin Saverian në rendin tekniko-tregtar, që ishte shkolla më e organizuar dhe më e kompletuar që kishte Shqipëria e asaj kohe. Luigji qe ndër nxënësit më të zellshëm të shkollës dhe shumë shpejt, që në moshën 13 vjeçare i shfaqen prirjet për gjuhën shqipe dhe krijime letrare, vjershën e parë e ka shkruar 13 vjeç. Prej Kolegjës Saveriane doli më 1897. Më pas plotëson arsimin e mesëm në Kolegjin arbëresh e Shën-Mitër Koronës, ku pati mësues De Radën, figurë që e frymëzoi për tërë jetën; ai ishte nxënësi i parë shqiptar aty. Takimin me ‘të, Gurakuqi e kujton:
“… tue pà syt e tij të mekun kah ndizeshin e shkëlqeshin, tue e përmendë Shqipnín, unë gjith përmallue, nuk mujta me u ndalë pa lëshue, bashkë me dy pika lot, nji të puthun të nxehtë mbi at dorë që punoi sá e sá për Atdhé…!”
Diplomën e pjekurisë e merr në Kozencë për sciences naturelles, duke pas ndjekur dhe kurse të veçanta në filozofi. Vijoi studimet universitare në Napoli (Itali) në Fakultetin e Mjekësisë në vitet 1901-1906, ku njohu Zef Skiroin, profesorin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Institutin Lindor të Napolit. Veprës së Skiroit Luigji do t’i përpilonte një parathënie, të cilën Konica do ia paraqiste botës frënge me një përkthim fort të bukur në të përkohshmen “Albania”. I përpirë nga ajo frymë që i kushtohej Shqipërisë detyrohet me lanë studimet përgjysmë që t’i kushtohej valës së luftërave për lirinë kombëtare duke marrë emrin e tyre në pseudonimin Lekë Gruda.
Me veprën “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frengjisht n’marim” (Napoli, 1906) bëri të parën përpjekje të suksesshme për kodifikimin e metrikës së poezisë shqiptare. Po atë vit botoi në Bukuresht librin “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet” e në Napoli “Fjalorth Shqyp-Frengjisht e Frengjisht-Shqyp i fjalëve të reja” etj. Luigj Gurakuqi botoi mjaft poezi që dallohen për përmbajtjen patriotike, për lirizmin dhe teknikën e vjershërimit. Me artikujt e tij ai dha edhe një ndihmesë me rëndësi në mendimin estetik e në kritikën letrare shqiptare. Sa i përket vokacionit të tij të gjuhës shqipe, Atë Justin Rrota «gjuhën shqype e njofti mâ mirë e mâ këthelltë se çdo shqyptár”.
Ngatërresën e parë me autoritetet turke e pati më 1904 nga shkaku i një botimi të vogël mbi kolonitë shqiptare në Itali “Dy Koloní Shqiptare n ‘Itali deri tash të panjohtuna” Më 1905 u shtrëngua me marrë malet për t’i shpëtuar ndjekjeve. Me shpalljen e Kushtetutës falen të gjithë ç’kishin bërë faje politike.
Më korrik 1908 mbërrin në Shkodër i adhuruar nga populli, mban një fjalim në shqip në praninë e Komitetit të Turqve të Rinj, e përcjellin deri në shtëpi. Në nëntor merr pjesë në Kongresin e Manastirit krah përfaqësuesve nga Shkodra: Atë Fishtës, Dom Mjedës, Hilë Mosit e Mati Logorecit; ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit. Bashkë me Fishtën ishte përfaqësues i “Bashkimi”-t, me Logorecin kishin mandat të përfaqësonin inteligjencën shkodrane, gjithashtu vetë Luigji kishte mandat të përfaqësonte arbëreshët e Italisë.
Gurakuqi pati meritën dhe fatin që udhëhoqi drejtpërdrejtë luftën për krijimin e shkollës kombëtare shqiptare dhe të sistemit tonë arsimor. Nën drejtimin e tij u hodhën themelet e para të sistemit arsimor fillor shtetëror në Shqipëri. U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentet e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve. Dora e tij shkroi alfabetet e miratuar nga Kongresi i Manastirit dhe i zbuloi para delegatëve.
Në tetor të 1909 u emërua drejtor i së parës shkollë normale që u hap në Elbasan, ku dha një ndihmesë me vlerë për vënien e arsimit mbi baza kombëtare. Gurakuqi ka meritën se përcaktoi drejt e qartë, më shumë se çdo paraardhës, konceptin mbi shkollën kombëtare shqiptare, përmbajtjen, karakterin dhe parimet e ndërtimit të saj. Ai kërkonte që gjithë fryma dhe përmbajtja e shkollës të ishte në funksion të qëllimeve dhe idealeve kombëtare. Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tonë. Ai i dha shkollës shqipe, si autor e bashkautor, 8 tekste mësimore me një vëllim prej 738 faqesh.
Detyrohet me ikë prej Elbasanit, të dalë jashtë shtetit bashkë me Aqif pashë Elbasanin. Në prill 1911 merr pjesë në kryengritjen e malësorëve të Mbishkodrës e si një nga udhëheqësit e saj, harton së bashku me Atë Mati Prennushin Memorandumin e Greçës, apo Librin e Kuq siç njihet ndryshe të malësorëve kryengritës, zjarri i armëve të të cilëve do të paralajmëronte pavarësinë. Më 1912 zhvillon një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, duke qenë i pranishëm në Toskëri dhe më vonë edhe pranë krerëve të Kosovës. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit, dhe do merrte pjesë në shtegtimin nga Bukureshti në Vienë. Me vaporrin e dhënë nga austro-hungarezët duke shoqëruar Ismail Qemalin zbret në Durrës më 24 nëntor në orën 4 mbasdite, u nisën të nesërmen me 25. Një natë fjetën në Çermë tek Dervish bej Biçakçiu, dhe një natë në Fier tek Omer Pashë Vrioni. Në Vlorë mbërritën më 27 dhjetor në darkë.
Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës (dhjetor 1912) u zgjodh Ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza. Merr pjesë në Konferencën e Londrës më 1913, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin. Nga gjendja e tensionuar në Shqipërinë e mesme, pasi qëndresa nuk u shfaq e frytshme tërhiqet në Shkodër me Aqif pashën ku vihet në krye të një Komisioni Sundimtar të Përkohshëm. Me Luftën i Botërore Shkodra pushtohet nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi internohet në Podgoricë nga 17 korriku 1915 deri në janar 1916.
Gjatë pushtimit austro-hungarez, prania e Komparmatës XIX të komanduar nga gjen. Trollmann vihet drejtor i përgjithshëm i Arsimit, hapi shumë shkolla shqipe. Qe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916. Profesori i Filologjisë romane në universitetin e Ljubjanës, më parë prof. në Univ. e Gratz-it në Austri që bëri pjesë në punimet e kësaj Komisie, Radomir Nachtingall, e çmon Gurakuqin. Ka merita të shquara në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe, në përpunimin e gjuhës letrare dhe në njësimin e shqipes së shkruar, në stabilizimin e drejtshkrimit, në pasurimin e fjalorit, në çështjet e leksikologjisë, terminologjisë e të gramatologjisë. Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit tone.
Arsimi vazhdoi të mbetet, siç e thotë vetë ai, dega më e dashur e zemrës së tij. Ai parashtroi në parlamentin shqiptar ide dhe mendime shumë interesante për politikën arsimore dhe rrugën që duhet të ndiqte shkolla shqiptare. Gurakuqi kishte një vizion të qartë për rolin e shkollës në një shoqëri moderne, për lirinë dhe të drejtat themelore t’individit në fushën e arsimit dhe kërkoi zhvillimin mbi baza ligjore, shkencore e pedagogjike të shkollës shqiptare. Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Durrësit ku ishte përfaqësues i Shkodrës dhe Mirditës, u emërua zëvendës i dr. Mihal Turtullit në ministrinë e Arsimit të kabinetit të Turhan Pashë Përmetit. Që në mbledhjen e parë të Kongresit të Durrësit, më 1918, L.Gurakuqi “âsht kundër që në një mbledhje kombëtare të përmenden fjalët toskë e gegë dhe të krishtenë e mysliman”, kërkon që fjalë të tilla të jenë të ndaluara dhe shton se “…çështja e lirisë dhe e nderimit të feve në Shqipni duhet të zgjidhet mbas formulës: “Feja e lirë në shtet të lirë”. I ngarkuar nga kjo qeveri si anëtar i delegacionit të saj në Konferencën e Paqes në Paris ku qendroi 15 muaj. Çdo shkresë e përdorur nga delegacioni u shkrua nga duart e tij e të Mustafa Merlikës.
Iu dha edhe posti i ministrit të brendshëm, në kabinetin disa ditor të H. Prishtinës. Këto ide e mendime L.Gurakuqi i shtjelloi hollësisht në diskutime në parlamentin shqiptar dhe, posaçërisht n ‘artikullin “Bazat e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëvet muhamedanë e të krishtenë”. Ai ishte kategorikisht kundër atyre që mendonin se për të larguar konfliktet fetare që mund te lindnin, duhet, me të butë e me të fortë, të shuhen besimet fetare në Shqipëri. Më 1921-1924 qe deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar ku si një nga udhëheqësit e opozitës demokratike luftoi për demokratizimin e jetës së vendit, për lehtësimin e gjendjes së bujkut nga shtypja e rëndë, për zhvillimin ekonomik e kulturor dhe për mbrojtjen e pavarësisë nga synimet skllavëruese të fuqive imperialiste. I qëndroi besnik deri në fund të jetës idealit për të parë një ditë të bashkuar rreth tokës amtare gjithë vëllezërit e kombit. Ai ankohej se:
“Na kanë marrë qytetet e na kanë lanë malësinë, na kanë marrë viset ma të çmueshme t’atdheut duke na lanë si një trup pa kokë”.
Tingëllojnë të freskta demaskimet që i bënte Gurakuqi politikës së pastrimit etnik që ndiqnin shovinistët serbë:
“Qeveria jugosllave nuk do të ndalet para asnjë mjeti”,- deklaronte ai,- “për t’i ndërrue fytyrën Kosovës”.
Për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve në shtetin jugosllav fajëson Fuqitë e Mëdha, të cilat bënë theror shqiptarët e trojet e tyre për interesat e veta e të aleatëve të tyre. L. Gurakuqi është partizan për të ndihmuar e për t’u dalur zot të drejtave të popullsisë së Kosovës. E quante si detyrë të rëndësishme të shtetit shqiptar.
Faji i vetëm i kosovarëve qëndronte vetëm në atë se ata ishin shqiptar e donin të mbeteshin shqiptar.
Ndër fjalimet më të fuqishme të Gurakuqit në parlament janë ato mbi mbrojtjen e popullsisë shqiptare të Kosovës. Kur qeveria jugosllave në një telegram e quante ndërhyrje në punët e brendshme të saj interesimin e shqetësimin e qeverisë shqiptare për gjendjen tepër të vështirë të shqiptarëve të Kosovës, Gurakuqi, plot indinjatë e zemërim do të merrte fjalën e do të thoshte:
“Si mundte me thanë një qeveri (Jugosllave) e cila ka mbjellë viset tona me varre të vllazënve tonë, se po i përzihemi në punët e mbrendshme të saj. Si mundte nji qeveri me thanë se po i përzihemi në punët e mbrendshme, kur shohim se për shkak të saj me mijëra fëmijë e gra sillen të zhveshur e të zbathur këtu nepër Tiranë e ushqehen me sevapet e amerikanëve e tepricat e ushtrisë. Qeveria Jugosllave nuk ka të drejtë për të na akuzue për një gjë të tillë kur parlamenti shqiptar kërkonte vetëm në emër të njerëzizë e humanizmit të ndërpriten mizoritë serbe ndaj shqiptarëve.”
Më 5 mars 1924 u sëmur rëndë nga një grip i fortë që e mbërtheu afro një muaj në shtrat.[13] Shtypi i dha vëmendje të veçantë, aq sa Avni Rustemi i thoshte Dom Shantojës “Opozita po pushon: Kemi Gurakuqin e sëmurë”.
Në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli u emërua Ministër i Financave. U dallua për ndjenjën e lartë të përgjegjësisë dhe për vendosmërinë e përpjekjet për krijimin dhe forcimin e shtetit demokratik shqiptar. Mori pjesë në Konferencën e Gjenevës krahas Nolit më 1924. Kur në Parlament Ali Këlcyra i bën vërejtje për qëndrimet e tij liberale, Luigji përgjigjet,
“Z. Ali Këlcyra më tha si për qortim se jam liberal. I falemnderit dhe mund të jetë i sigurtë zotnia e tij se vdekja do të më ndajë nga mendimet e mija liberale”.
Duke u deklaruar demokrat e liberal, Gurakuqi thoshte se nuk është as revolucionar as bolshevik e as socialist, koncepte këto që në vitet ’20 ishin të barazvlefshëm dhe kishin kuptimin e ndryshimeve me dhunë, me forcën e armëve, me kryengritje. Mark Gurakuqi do shkruajnë ishte trim por s’e pëlqente gjakderdhjen. Gurakuqi ishte për zgjidhjen paqësore të probleme nepërmes ligjeve, zgjidhjeve “me drejtësi e në mënyrë të butë”. Si i tillë, ishte kundër futjes se popullit në udhën e kryengritjes së armatosur. Duke pasur këto koncepte mbi rolin e ligjit, dhe zgjidhjen paqësore dhe jo kryengritjen e zgjidhjen me dhunë të problemeve, Gurakuqi u përfshi në Lëvizjen e 1924, pas një hezitimi e kundërshtimi të fortë. Miku i tij, Mustafa Merlika-Kruja shkruan në letërkëmbimin me Atë Paulin Margjokajn:
“Në lëvizjen e qershorit 1924 ka qenë kundërshtar deri që nuk qe vendosun, ka luftue si Luâ për t’a ndalue, tue profetue pikë për pikë të gjitha pasojat qi u vërtetuen ma vonë njana mbas tjetrës. Por, mjerisht, mandej kur s’i eci fjala, vot mbas rrymës e u bâ edhe ministër me Fan Nolin”.
“Gurakuqi u tërhoq (në revolucion) pas një kundërshtimi të fortë. Mund ta dëshmojnë sa u ndodhën në Vlorë”. – shkruante Stavro Vinjau.
Për veprimtarinë e tij si ministër vazhdojmë të lexojmë Vinjaun:
“… si ministër i Financavet i Kabinetit Noli bëri çudira. Gjeti 4 milion franga ari të papaguara; me administrimin e tij të shkëlqyer, me ngursimet e tij (ngursente parat e Shtetit më tepër se paratë e tij) arriti që jo vetëm buxhetin e ri t’a mbyllnjë me një tepricë prej 1.000.000 franga ari, po edhe të gjithë borxhet e Shtetit të kohës së kaluar të paguhen; nëpunësit të cilët prej 2-3 vjetëvet qenë mësuar të paguheshin me një vonesë prej 3-4 muajsh, arritne ditët e fundit të administrimit të tij të paguhen rregullisht. Dhe barasimin e buxhetit e bëri pa mbyllur asnjë pagesë të dobishme në arësim e P. Botore, pa pakësuar ushtrin dhe duke i dhënë xhandarmëris sa kërkoj Komanda e Përgjithëshme.”
Pas shtypjes së Lëvizjes së qershorit shkoi në Itali, ku më 2 mars 1925 u vra në Bari prej Baltjon Stamollës në derë të Hotel Cavour, kushëri i vetë Luigjit. Ishte mbrëmja e 2 marsit, në restorantin e hotelit, Luigj Gurakuqi po darkonte me dy miq të tij dhe gruan e njërit prej tyre: Riza Dani me bashkëshorten Makbule dhe vëllai i tij Dan Hasani. Kërkoi leje prej tyre duke i paraqitur arsyen: do t’shkoj tek Sotiri, mbâsi i kam premtue nji kukull vajzes së tij.[20] Në xhepat e shkyer të ish-Ministrit të financave policia italiane gjeti vetëm 350 lira. Nisi të hante një herë në ditë me të dalë refugjat.
Varrimi i Luigj Gurakuqit, në qendër Hasan Prishtinën duke e përshëndetur bashkëpatriotin e tij
N’organizimin e këtij atentanti kishin dorë si Ahmet Zogu, Ceno Kryeziu, ashtu dhe Çatin Saraçi, dëftuar kjo nga letra nisur nga vrasësi që kërkon ndihmë:
“Kerkoj mbrojtje dergoni të holla ndermjetsoni për pshtim pranë Qeveriës Italjane. Pyetnij Çatin Saraçin ku asht…? “besa” ndihma!…
Miku i tij, Hasan Prishtina, mbi varrin e tij do të shprehej: “Flej i qetë Gurakuq, shpagen tânde do ta marrim me përparimin e Shqipniës.”
Autoritetet italiane nuk lejuan që funerali të mbahej në qytet, por vetëm brenda mureve të varrezave. N’ato çaste tragjike miku i afërt i Gurakuqit, Lin Kamsi ruajti veshjen me të cilën ishte vra “trimi i bardhë si dborë” për t’ia lanë si kujtim brezave të ardhshëm. Në Bari rendën refugjatë shqiptarë prej gjithkah. U mbajtën fjalime prej bashkëshortes së Sotir Gjikës, zonjës Lilli Quarta, prej Hasan Prishtinës, Llazar Fundos, Beqir Valterit etj. / KultPlus.com