12 Shtator, 2021 - 7:00 pm
Si sot, më 12 shtator 1922, Kisha Ortodokse e Shqipërisë u shpall Autoqefale nga Kongresi i Beratit.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave solli në vëmendje detaje historike nga kjo ngjarje.
Statuti i KOASH-it u miratua në Kongresin e dytë kishtar ortodoks. Ky Sinod u mblodh në Mitropolinë e Korçës nën kryesinë e Kryeepiskopit Visarion. Në Kongres u zgjodhën delegatë intelektualët dhe klerikët e shquar të vendit. Më 16 qershor 1929 delegatët përfaqësues të klerit dhe të ortodoksëve shqiptarë filluan punimet e Kongresit të dytë kishtar.
Imzot Visarioni në fjalën e tij, parashtroi përmbajtjen kryesore të Statutit dhe të Rregullores së Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, si dhe parimet e përgjithshme që frymëzuan Sinodin e Shenjtë për hartimin e Statutit.
Statuti sanksionoi Autoqefalinë e deklaruar në Berat më 12 shtator 1922, duke qenë dogmatikisht e bashkuar me patriarkanat e shenjta dhe me kishat e tjera ortodokse autoqefale. Ndërkohë administrativisht Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare mbetej tërësisht më vete nën flamurin kombëtar. Imzot Visarioni këmbënguli që gjuha zyrtare e Kishës të jetë gjuha shqipe.
Kjo për shkak se ajo i zotëron të gjitha aftësitë e duhura dhe kurorëzon përpjekjet më të hershme dhe të rilindasve. Në një artikull të veçantë u përcaktua pavarësia e kishës shqiptare: “Kryepeshkopi, Peshkopët, Zëvendësit e tyre lokalë, Ikonomi i Madh Mitrofor, Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit… duhet të jenë prej gjaku e gjuhe Shqiptarë, si edhe të
kenë nënshtetësinë Shqiptare”.
Në përfundim të diskutimeve, në datën 29 qershor të vitit 1929, të gjithë delegatët firmosën dokumentet për t’u miratuar në statutin përfundimtar.
DPA solli edhe dy fotografi të delegatëve të mbledhur në Kongresin e mbajtur në Korçë, që ruhen në Fototekën e AQSH-së. / KultPlus.com