28 Mars, 2020 - 11:00 pm
Shumë prej nesh, besojnë dhe shpresojnë se temperaturat e larta dhe i nxehti do ta shpëtojnë botën nga pushtimi i koronavirusit. Ndërkohë, janë hedhur hipoteza mbi erën që përhap COVID-19, mbi lagështirën dhe reshjet që e favorizojnë këtë virus.
Por, cilat janë të vërtetat? A do ta ndalojë stina e nxehtë pandeminë globale?
Le të analizojmë një nga një rolin e erës, temperaturës dhe lagështirës në sjelljen e koronavirusit, por duke marrë në kosideratë faktin që ende nuk ka një raport shkencor i cili përligj lidhjen mot–koronavirus, sikundër nuk ka studime që hedhin poshtë këtë lidhje.
Pandemia e COVID-19 është një ekuacion me shumë të panjohura, ku ndryshorja përcaktuese është sjellja e virusit dhe jo moti apo klima. Por, ne mund të analizojmë sjelljen e këtij virusi në mjedis nga ku mund të gjejmë disa të panjohura:
– Së pari, ky virus nuk është aerogen, fakt i cili hedh poshtë ndikimin e erës në shpërhapjen e virusit nga një zonë, në një rajon më të gjerë.
– Nga ana tjetër, virusi COVID-19 ka masë molekulare të madhe, fakt i cili tregon se ky virus nuk qëndron pezull për një kohë të gjatë, por precipiton në tokë apo sipërfaqe të ndryshme.
– Po ashtu, masa e tij molekulare, në lagështirë të lartë dhe prani të reshjeve, shkurton akoma më tepër pezullinë e COVID-19 në ajër.
Por, le t’i kthehemi pyetjes “A e ndalon stina e nxehtë pandeminë?” Gjasat janë të mos e ndalojë, por do ta dobësojë ndjeshëm pandeminë dhe kjo për shumë arsye, ndër to edhe kushtet e motit.
Analizat laboratorike tregojnë se COVID-19:
– është virus i paketuar në lëng yndyror i cili e bën rezistent në temperatura të ulëta, por nga ana tjetër ky lëng yndyror nuk i reziston nxehtësisë.
– aq më tepër që, COVID-19 preferon mot të ftohtë dhe ajër të thatë, ndërsa në zonat me lagështirë dhe temperaturë të lartë vërtet ky virus shfaqet dhe përhapet, por paraqet një nivel më të ulët të vdekshmërisë.
Prandaj, ardhja e motit të nxehtë do ta dobësojë këtë virus, por “shërimi prej tij vjen nga izolimi, distancimi fizik i ndihmuar edhe nga moti i nxehtë që pritet të vijë në hemisferën veriore të globit. /KultPlus.com