Abbott: Dita e Pavarësisë mundësi e mirë për të reflektuar mbi sakrificën e së kaluarës

17 Shkurt, 2021 - 1:10 pm

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott ka uruar Kosovën në 13-vjetorin e bërjes shtet.

Ai në urimin e tij ka shkruar se Dita e Pavarësisë së Kosovës është mundësi e mirë për të reflektuar mbi përpjekjet dhe sakrificat e së kaluarës:

Dita e Pavarësisë në Kosovë është mundësi e mirë për të reflektuar mbi përpjekjet dhe sakrificat e së kaluarës, si dhe për t’i nderuar këto përmes realizimit të ëndrrës për një Kosovë të pavarur, demokratike dhe me prosperitet. Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe gjithmonë do të jetë pranë jush në këtë rrugë

Çdo herë që mbajmë takime në Ambasadën Britanike, ne ulemi para dy letrave të vendosura në kornizë që qëndrojnë të varura me krenari në mur. Këto letra ishin ndër të parat e këtij lloji. Ato u janë adresuar presidentit të atëhershëm Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi, duke e bërë Mbretërinë e Bashkuar vendin e parë që ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, sovran dhe që ka vendosur marrëdhënie zyrtare diplomatike. Është nder dhe kënaqësi që të shërbej si Ambasadori i pestë i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe të më rikujtojnë çdo ditë për rolin që Mbretëria e Bashkuar ka luajtur në rrugëtimin e Kosovës për të fituar pavarësinë.

Trembëdhjetë vjet më vonë, ne mbesim të angazhuar dhe përkrahës si çdoherë, dhe Dita e Pavarësisë së Kosovës është moment i mirë për të reflektuar sesa progres është arritur, sidomos në inkurajimin dhe themelimin e një demokracie të re dhe moderne. Zgjedhjet e së dielës, përsëri ishin një ditë e veçantë. Pavarësisht temperaturave të ulëta dhe borës, unë pashë shumë kosovarë, të të gjitha moshave, duke ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Sot ne duhet të kujtojmë edhe të gjithë ata që kanë sakrifikuar aq shumë që populli i Kosovës të ketë mundësi të zgjedhë liderët e tij.

Zgjedhjet për nga natyra e tyre janë një garë e cila i vë në pah dallimet tona. Toni i debatit në Kosovë shumë shpesh mund të jetë i vrazhdë me sulme personale ndaj karaktereve të njerëzve. Prandaj këtë vit në Ditën e Pavarësisë është me rëndësi të rikujtojmë çka e bashkon Kosovën, a jo çka e ndan atë. Është koha që të lihen anash dallimet dhe të punohet së bashku në këtë kohë të sfidave të mëdha.

Edhe pse ishte privilegj të isha i pranishëm në zgjedhjet e së dielës, këto ishin zgjedhjet e dyta parlamentare gjatë një viti e gjysmë prejse jam Ambasador në Prishtinë. Vazhdimi i mëtejmë i garës politike në muajt e ardhshëm, rrezikon mbingarkimin e mëtejme në kohë të vështirë; pasiguria politike dhe ndasitë e mëtutjeshme do t’u japin municion vetëm atyre që dëshirojnë të nënvlerësojnë Republikën e Kosovës.

Populli i Kosovës qartazi ka votuar për ndryshim dhe gati të gjithë liderët partiakë e kanë pranuar këtë. Unë e uroj Vetëvendosjen për suksesin e tyre. Numërimi i votave dhe procesi i certifikimit nuk ka përfunduar ende, por sapo të përfundojë, do të jetë koha që partitë politike të punojnë në krijimin e qeverisë, shpejt dhe në mirëbesim. Mirëpres bashkëpunimin me qeverinë e re që të vazhdojmë të ndërtojmë partneritetin e qëndrueshëm në mes dy vendeve tona. Për disa parti, këto zgjedhje nënkuptojnë një periudhë në opozitë. Ky është një rol i rëndësishëm në të gjitha demokracitë – qeveritë duhet të sfidohen dhe të mbahen në përgjegjësi.

Dita e Pavarësisë në Kosovë është mundësi e mirë për të reflektuar mbi përpjekjet dhe sakrificat e së kaluarës, si dhe për t’i nderuar këto përmes realizimit të ëndrrës për një Kosovë të pavarur, demokratike dhe me prosperitet. Mbretëria e Bashkuar ka qenë dhe gjithmonë do të jetë pranë jush në këtë rrugë. / Koha.net / KultPlus.com

Të ngjajshme