11 Korrik, 2020 - 10:20 am
Shkruan: Sinan Gashi
Tregim
Pasi e shikoi me dy sy të vegjël zhbirues, sikur donte të kuptonte për gjithçka që mban fshehtësi shpirti i njeriut, i tha të ulët në një karrige të vjetërsuar nga përdorimi i shpeshtë, dhe ta vinte kokën mbi një bazë të metaltë, duke përqendruar shikimin te një sy i zi artificial. Me duart e hajthme dhe tërë deje afroi kokën e pacientit sa më të pushueshme dhe u afrua aq afër sa ndihej era e rëndë e nikotinës shumëvjeçare së bashku me aromën e njeriut te plakur por pedant.
-Shiko këndej-, tha nervoz, këndej thashë! Lart, anash, poshtë, drejtë… Sërish u largua dhe ndezi një dritë të vockël pranë aparatit. Shikimin sërish e nguliti te fytyra e njeriut të mbushur dhe pak të hutuar, sikur nuk ishte së bashku në një kabinë dhe sikur nuk kishte interes për t’u mjekuar. Doktori bëri edhe një lëvizje prapa. Karrigia me rrotëza e largoi më shumë seç mendoi dhe, kur shikimi i hasi në një pako cigareje, e ndezi rrëmbimthi dhe e thithi thellë.
-Po, ç’është me ty, or burrë? Përvoja ime e ka përcaktuar shpejt diagnozën dhe fare pak duhej hamendur për përcaktim shërimi. E ti, ti… s’di! Plus ke ardhur edhe nga larg, ke kaluar me vështirësi kufirin për t’u shëruar, thua se s’ka mjek atje…
Pasi bëri dhe dy-tri lëvizje dore në ajër së bashku me cigaren, duke formuar rrathë formash të ndryshme në hapësirën e dhomës, sikur rrethonte mendimet e tij, sqaroi me një shprehje të dyshimtë.
– Kjo s’është sëmundje, kupton. Syri me dioptri është rezultat i punës së ngarkuar tej mase në profesion, por kjo tashti s’ka të bëj me të. Këputja e retinës bëhet me dhunë… Është mirë ta rrëfeni vetë që të më lehtësohet sado pak, se…
(…e kishte dorën të rëndë i paudhi. Kishte të rame armiku, që synim ka sakatosjen shkatërrimin… Ai kishte qëndruar me kokë poshtë kur të tjerët silleshin si lukuni hienash rreth e rreth, me të rame e të shame. Kishte vjedhur me bisht syri pikat nevralgjike ekzistenciale të njeriut, të jetës. Maja e këpucës kishte qëlluar fikse në testiset dhe dritat e syve. Trashëgimi dhe shikimi. Ardhmëria dhe vazhdimësia. Kishte përjetuar pastaj një temperaturë jo të zakontë në tërë trupin. Kishte dëgjuar cingërimën e trishtueshme e xhamit të syzeve nëpër dysheme, e më pas disa minutash kishte parë çantën e gërvishtur gjysmë të hapur dhe fletët e shpërndara në një qoshe të korridorit të gjatë…)
Heshtja e tij nuk e nervozoi doktor Sulon. Ishte mësuar me lloj-lloj tipa pacientësh, disa që kërkonin kohë pushimi, disa të tjerë që fshihnin imtësitë sikur u vite turp, disa që nuk flisnin fare e disa, madje, që fillonin vetërrëfimin hiq pa i pyetur ai. Por, kësaj radhe, kishte qëndrim krejt tjetër. Kujdesin e shtonte nga largësia e pacienti dhe madje që vinte nga një vend i okupuar dhe, pse jo, që ishte edhe punëtor arsimi… Një parandjenjë të keqe e kishte për rastet e dhunës atje. Hiq pa lexuar gazetat, pacientët e shumtë kohëve të fundit rrëfenin për gjithçka të rëndë dhe makabre për atje.
-Mund edhe të mos tregosh asgjë-, tha ngadalë sikur foli me vete. Ndoshta fatkeqësi komunikacioni ishte, ndoshta rrëzim nga diku ishte, ndoshta dhunë ishte. Si të duash…, – përsëriti edhe njëherë. Operacioni duhet bërë, e sa për suksesin…- dhe në vend të përfundimit të mendimit, rrudhi krahët. Ishte operacion i rëndë, delikat, dihej.
(…gjaku i pleksur ia kishte mbyllur kapakun e syrit, por dhimbje nuk ndjeu, në mos kishte harruar gjithçka nga fjalët fyese dhe të rënat me mjetet të tjera.
Ju kërkoni republikë, gërthiti në gjuhën e huaj një syskuqur. Dhe kërkoni ndihmë nga Amerika, piskati një tjetër që i bëhej se kishte synim edhe t’ia shurdhonte veshët përjetësisht. Në do t’ju vrasim të gjithëve deri sa të vjen dikush në ndihmë, or të mjekër. Në kemi gjithçka në dorë, prej kërbaçit e deri te raketa, e ju s’keni asgjë. Bythëjashtë jeni, he nënën e keqe ta… Pastaj vini të përziera shtërzimet, fyerjet e rrahjet, maltretimet e ngërdheshjet sadiste.
Si qenka njeriu!, iu përvodh për një çast një fije mendimi. Po u krijuaka një krenari edhe kur je i vetmuar, edhe kur je i pa forcë fizike… Vetimthi i rrëshqiti, mendimi të një fytyrë heroi që kishte lexuar a parë në film. Por vetë nuk kishte asgjë të heroit. Njeri i thjeshtë, madje tepër delikat, që tërë jetën s’e kishte provuar asnjë shuplakë, as nga prindi as nga shokët e fëmijërisë… Si qenka jeta! Edhe në këso rrethanash futka hundët ndonjë mendim që nuk e ka vendin këso radhe. Këtu ku qenka çerdhja e sharjeve, e grushtimeve, e ndrydhjeve, e…
Humbës janë këta, i buroi dika një mendim në çastet e pakta kotësie. Kur unë, urtaku u dyzet vjetëve u prishkam punë, vërtetë e paskan fundin e përgjithmonshëm…)
-Doktor Shkëlqimi dhe Elona, përcilleni në kabinën numër dhjetë. Sqarojeni se si duhet të mbaj qëndrimin dhe disiplinimin, tha dhe doli nga një derë interne që, më vonë e mësova, kalonte në sallën e operacionit.
Doktor Shkëlqimi, me do syze të rrumbullakëta e shikoi me një fije dhimbe kosovarin e shqetësuar, kurse dr. Elona me bishtalecin e Vitës së letërsisë, gjeti diku një fije gazi e mirëkuptimi që e shprehu me shkëlqimin e syve të zezë.
Këtu, thanë njëzëri, kur të keni nevojë, jemi në dhomën e tretë, këtu afër. Njëri nga ne edhe kujdestaron patjetër…
Dhoma mbeti e zbrazët. U lëshua këputshëm mbi krevatin e vjetër dhe ofshani thellë… Sikur ta pija duhanin, mendoi, do lehtësohesha ndoshta. Athua duhani lindi si shoqërues i vetmisë apo ishte lojë mashtru4ase…
(… a thua se ashtu do ndodh. Nuk do shoh më përreth askënd? Jo more, s’bëhet ashtu. E keqja s’vjen aq shpejt, qetësoi veten… Po librat duhet lënë rehat, ama. S’duhet lexuar më fjalët e bukura, artistike, që ishin ushqim, ishin kënaqësi, ishin pushim, ishin lehtësi jete në këso rrethanash… Jo, more, jo! – sërish arsyetoi veten. Mjaft ke parë në jetë. Tashti të duhen disa gjëra të mëdha, shikimi i të cilave është domosdoshmëri sa për të mos qenë ngarkesë për të tjetër, për djalin, vajzën, gruan, rrethin më të gjerë. Po, puna po mbetej përgjysmë, se!…
Posa kishte vënë emër prej njohësi profesional, posa kishte projektuar ide të reja profesionale propagandistike, ngase kishte mësuar diçka nga ajo formë e punës në terren. Kishte krijuar një rreth të njohurish nga fshati në fshat, dhe madje ndjente kënaqësi kur shoqëronte shqetësimet e tyre të shumta… Epo, jeta…, fshehtësitë që paska!!! U shtri tashti në kurriz dhe mbylli sytë përdhunshëm. Në fakt mbylli vetëm njërin sy, nga ata që ndjente lodhje dhe skuqje. Ashtu mendoi të merrte një sy gjumë, por hajde shkoqi mendimet, se. Ato përvidhen dhe në mënyrën më të padukshme për të hyrë ku kanë synimin dhe po ashtu pa u hetuar fare, ikin pastaj dhe strehohen kudikush … Po, sikur edhe ky syri tjetër të dobësohet?… Me sy s’paska, ë! Por nuk kanë thënë kot se sytë janë jeta vetë, madje edhe pasqyrim i brendësisë së shpirtit njerëzor. Shikimi është simbolika e ardhmërisë. Mu për këtë syve u janë kënduar shumë këngë, u janë thurur shumë vargje. Sytë janë bota e brendshme e njeriut. Ata shprehin edhe gëzimin, edhe hidhërimin, shqetësimin, lodhjen, urrejtjen, lakminë, injorimin, përbuzjen e çka jo tjetër të njeriut…
Po, fundja, ky ishte një borxh i vogël, apo një sakrificë simbolike që duhej bërë për rrugën e re që është trasuar…
Sërish mendime të shkëputa gjithfarë llojesh, të turbullta e herë të ngatërruara më pas, deri sa gradualisht u shkrinë në një gjumë lodhës nga rruga tërë natën.)
-Zotëri!- u dyshua zëri i butë i infermiere Evës. Më falni, por doktor Gjergji lajmëroi se salla është gati. Operacioni bëhet në ora dhjetë. Më falni, tha edhe njëherë dhe butësisht tërhoqi derën pas. Ora e qytetin tregoi nëntën.
Duhet provuar edhe njëherë shpresën e fundit. / KultPlus.com