AccuWeather publikoi parashikimin e madh pranveror për Evropë: Nuk përjashtohen përmbytjet dhe stuhitë në Ballkan

20 Mars, 2023 - 5:00 pm

Në parashikimin e AccuWeather për pranverën, thuhet se “modeli afatgjatë i dimrit” do të vazhdojë në disa vende evropiane, ndërsa disa pjesë të kontinentit tonë do të përballen me stuhi potencialisht të rrezikshme pak më vonë.

Me ekuinoksin pranveror që ndodhë të hënën, më 20 mars, ekipi i ekspertëve të parashikuesve ndërkombëtarë të AccuWeather ka publikuar detajet se çfarë do të mbajë sezoni i ardhshëm pranveror në Evropë.

Sipas Meteo France, një brez prej 32 ditësh pa reshje të matshme (më pak se 1 mm shi në ditë) u vu re nga 20 janari 2023 deri më 21 shkurt 2023.

Dhe kjo vendosi një rekord të ri për brezin më të gjatë të njëpasnjëshëm të ditëve pa reshje të matshme që nga viti 1959, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

E ndërsa ka frikë për një thatësirë të mundshme për shkak të fenomeneve të tilla, stuhitë në Evropën Jugperëndimore dhe shtimi i reshjeve pranverore në rajonet jugore po shkaktojnë shqetësim te meteorologët për përmbytjet e mundshme në Itali dhe Ballkan.

“Duke pasur parasysh se sa i ngrohtë është Deti Mesdhe, stuhitë mund të ofrojnë lagështi shtesë dhe të çojnë në rritje të kërcënimeve nga përmbytjet. Kjo është një shqetësim i veçantë për shpatet perëndimore të Apenineve dhe Alpeve Dinarike”, citohet të ketë thënë Tyler Roys, meteorolog i AccuWeather.

Veç kësaj, thuhet se pjesa më e madhe e Evropës Juglindore, përfshirë edhe rajonin tonë, do të përballet me temperatura mbi mesataren në pjesën e dytë të pranverës.

Kështu, nga Roma në Bukuresht, temperaturat në mes të muajit mars ishin në nivelin e atyre tipike për fundin e prillit dhe kjo prirje do të vazhdojë edhe gjatë muajve në vijim e shoqëruar me reshje të herëpashershme.

Si pasojë, vlerësohet se stuhi duhet të priten edhe në Ballkan në fund të pranverës. / KultPlus.com

Të ngjajshme