9 Qershor, 2021 - 2:54 pm
Organizata “Active Albanians” (Shqiptarët Aktiv) u themelua në shtator 2018 në Los Anxhelos, Kaliforni, nga Marsel Alickolli dhe Mario Ismaili. Në një intervistë për “Diaspora Shqiptare”, Marsel Alickolli shprehet se ai dhe miku i tij kurrë nuk e kishin menduar që kjo ide do kishte një efekt përshkallëzues. Themeluesi i “Active Albanians” tregon se ideja për të ngritur flamurin shqiptarë nën ujë ishte e të gjithëve bashkë, por realizimi nuk ishte aq i thjeshtë sa e menduan, por jo i paarritshëm.
Si lindi ideja për krijimin e “Active Albanians” në vitin 2018?
Organizata “Active Albanians” është themeluar në shtator 2018 në Los Anxhelos, Kaliforni. Bashkë me mikun tim të mirë Mario Ismaili menduam fillimisht të krijonim një klub shoqëror që shërben si një organizues për komunitetin shqiptar. Kurrë nuk e kishim menduar që kjo ide e jona do kishte një efekt efekt përshkallëzues.
Përveç miqësisë tonë, unë dhe Mario ndajmë një pasion të përbashkët për sërfin. Pikërisht sërfi ishte një nga aktivitetet e para sa i pëlqyer aq edhe i panjohur për komunitetin shqiptar. Gjithçka filloi në një faqe në Facebook të quajtur “Active Albanians Los Angeles” si platforma e preferuar për të informuar komunitetin shqiptar në lidhje me aktivitetet që ne zhvillojmë.
Jemi habitur nga interesi dhe pjesëmarrja e madhe, gjë që nuk e kemi pritur për shkak të popullaritetit të ulët që sërfi kishte në komunitet. Të motivuar për të bërë dicka ndryshe, unë dhe Marseli organizuam një seri aktivitetesh në zonën e Los Anxhelosit, si “ekskursione” në Palos Verdes, ditë volejbolli dhe plazhi që rezultuan në një pjesëmarrje të suksesshme. Duke pasur parasysh interesin e shtuar dhe numrin e anëtarëve të rinj, nëpërmjet Active Albanians” filluam të organizojmë veprimtari shumë të suksesshme. Ndër më të njohurit janë: “Paint Balling” në Shtator the 2019 “Rock Climbing” Shkurt 2019, Mud Run Shkurt 2020, Boëling Nëntor 2019, Hiking Dhjetor 2018, Surfing Mars 2019 dhe aktiviteti me ndikimin më të madh nga të gjitha ishte mbledhja e fondeve gjatë tërmetit në Shqipëri në vitin 2019.
Aktualisht sa është numri i anëtarëve të bashkuar me ju?
Numri i anëtarëve të bashkuar me ne është gjithmonë dhe në rritje dhe ndryshon në bazë të aktiviteteve që ne organizojme. Një shëmbull konkret do të ishte fakti që ne po zgjerojme aktivitetet tona edhe në Teksas tashmë.
Në nisma të tilla organizimi është një pjesë shumë e rëndësishme. Si kordinoheni për aktivitetet që realizoni?
“Active Albanians” tashmë ka tre platforma. Faqja origjinale e “Active Albanians Los Angelos” në facebook, një faqe e re e “Active Albanians DFW” (Në zonën e Dallas -Forth Worth) në facebook që synon të organizojë komunitetin tonë fantastik në Dallas, dhe një faqe në Instagram “Active Albanians” që ka si funksion të shërbejë si një pikëlidhje për të gjithë shqiptarët në Shtetet e Bashkuara dhe pse jo në të gjithë botën. Ne shpresojmë që kur të arrijmë statusin jofitimprurës, të gjitha platformat do të lidhen nën një ombrellë të madhe. Qëllimi është bashkimi dhe fuqizimi i shqiptarve kudo ku ata ndodhen.
Si ishte të ngrinit flamurin shqiptar të zhytur në ujë dhe e kujt ishte ideja?
Ngritja e Flamurit shqiptar nën ujë si pjesë e dy zhytjeve radhazi ishte një temë bisede midis anëtarëve për një kohë të gjatë përpara eventit. Në pamje të parë duket si diçka e thjeshtë për t’u arritur, por duke qënë se ka nevojë për një komunikim të sinkronzuar, na kushtoi pak kohë të gjenim mënyrën se si do e arrinim dhe kjo nga ana tjetër na dha një përvojë të paharrueshme. Në një moment, unë duhej ta merrja “demin nga brirët” dhe të zbatoja përvojën time të zhytjes së bashku me disa hulumtime midis komunitetit të zhytjeve në Kaliforninë e Jugut.
Nëse donim të kishim një përvoje të suksesshme dhe të paharrueshme, disa aspekte që duheshin konsideruar përfshinin “shikueshmërinë e ujit në thellësinë më të mirë”, si dhe një “çertifikim të pranueshëm të zhytjes qe ishte ventdosur ” për të gjithë zhytësit e “Active Albanians”. Nuk duhej harruar komunikimi nënujor i ndjekur nga një vend i paracaktuar që nuk ishte i populluar nga leshterikët por në të njejtën kohë ofronte një përzierje të shkëmbit dhe formimit të rërës të duhurin për përvojën përfundimtare. Ky ishte aspekti logjistik dhe plani paraprak i një zhytjeje. Sapo të plotësoheshin të gjitha këto kushte, ishte koha për të ekzekutuar planin. Jam shumë krenar për zhytësit tanë shqiptarë që ndoqën gjithçka në përsosmëri, dhe rezultati ishte me sukses.
Ne të gjithë kishim maska zhytjesh, por pasi jemi zhytur me flamurin tone kuq e zi dhe shqiponjën tonë me dy koka 20 metra nën ujë, unë mund të shikoja se ata ishin të gjithë të qeshur dhe duke marrë frymë fort në të njëjtën kohë. Ishte një ndjenjë e pakrahasueshme. Për mua ishte një emocion i veçantë pasi vij nga ai brez i shqiptarëve të cilëve u bëhej pyetja: “ku është Shqipëria në hartën e botës” nga shumë njerëz kur unë emigrova në Shtetet e Bashkuara.
Tani Shtetet e Bashkuara dinë shumë më tepër për komunitetin tonë Shqiptar, por edhe për vendin tonë fantastik. Brezi im kishte këtë përgjegjësi mbi supe për të prezantuar kulturën dhe simbolet tona në botë pas 5 dekadave të izolimit nga bota e jashtme gjatë komunizmit. Fakti i thjeshtë që “bijtë e Shqiperisë” po ngrinin flamurin e tyre nën ujë në tokën e premtuar ishte diçka shumë e madhe për ne. Ishte një borxh mirënjohje që i detyroheshim vendit që na ka bekuar me identitetin tonë shqiptar. Një identitet që ne jemi krenar ta shfaqim sa herë që kemi mundësi.
Tashmë me lehtësimin e masave Covid aktivitetet do jenë më të shpeshta? Cilat janë planet e afërta që keni si grup?
Me lehtësimin e masave kundrejt Covid aktiktivitet tona shpresojmë që do të jenë më të shpeshta. Fakti që organizata shtrihet tashmë në dy shtete të ndryshme paralelisht, Kaliforni dhe Teksas, na ofron një gamë më të gjërë veprimi për aktivitetet tona.
Tri vite nga krijimi i “Active Albanians”, cfarë synoni në të ardhmen, do vazhdoni me të njëjtin ritëm?
Qëllimi fillestar i klubit ishte të prezantonte anëtarët e tjerë të komunitetit shqiptar me aktivitetet që nuk ishin njohur më parë, dhe të promovonte aktivitete që të gjithë do të sugjeronin. Kjo ishte një qasje e suksesshme që rriti radhët tona dhe na sfidoi të shtrijmë aktivitetet jashtë shtetit tonë të origjinës. Jam i lumtur të them se qëllimi që ne patëm fillimisht, është tani një mision. Eshtë misioni ynë ta kthejmë organizatën “Active Albanians” në një organizatë të strukturuar jofitimprurëse, një organizatë që mund të egzistoje ligjerisht e pavarur dhe jetojë gjatë mbasi anëtarët fillestarë të kenë përfunduar participimin e tyre në të njëjtën kohë t’i japë shumë më tepër komunitetit tonë shqiptar krahasuar me fillimet e saj.
Keni në plan të vini në Shqipëri bashkë me anëtarët e “Active Albanians”?
Jam i sigurtë që në qoftë se e prezantoj si ide, anëtarët e Active Albanians nuk do të donin asgjë më shumë sesa të shtrinin rrjetëzimin dhe ndarjen e përvojave edhe në Shqipëri. Fatkeqësisht, ne nuk kemi ndonjë plan konkret dhe aktual për të vizituar Shqipërine në një ardhmen të afërt. Ndërsa organizata jonë rritet dhe shpresojmë që të zhvillohet në një organizatë jofitimprurëse, të cilën po punojmë të ndërtojmë, ne mund të mendojmë për një plan që ka një shtrirje dhe ndikim më të madh se sa ai që aktualish kemi edhe në Shqipërinë tonë të dashur.
A mund të na bëni një prezantim për veten, kush është Marsel Alickolli dhe me çfarë merreni tjetër?
Unë quhem Marsel Alickolli dhe unë jam një nga themeluesit e organizatës “Active Albanians”. Unë kam lindur në qytetin e bukur të Pogradecit, Shqipëri. Midis shumë mundësive që jeta më ka ofruar, një prej tyre ka qenë dhe zhvendosja në USA në vitin 2002. Një nga arritjet kryesore në aspektin profesional ka qenë diplomimi në Universitetin DePaul në Çikago në fushën e financës. Pavarësisht se komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara është rritur ndjeshëm që nga dy dekada më parë kur unë u largova nga Shqipëria, unë gjithmonë kam menduar se ne gjithmonë mund të bëjmë diçka më shumë për të forcuar komunitetin tonë.
Gjithashtu dhe për të ofruar disa mundësi te ndryshme që ndoshta nuk ishin aty më parë dhe kështu u formua “Active Albanians”. Përveç aktiviteteve dhe menaxhimit të grupit, unë jam pjesë e komunitetit shqiptar në Dallas, një nga komunitetet më të organizuara në Shtetet e Bashkuara si dhe jam një sipërmarrës i një biznesi ushqimor me shumicë në zonën e Dallas-Forth Ëorth në shtetin e Teksasit në Shtetet e Bashkuara. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com