“Admovere” kërkon ndihmë nga ata që mund të kenë materiale dokumentuese për dy Masakrat në Fushë Kosovë

20 Prill, 2023 - 11:45 am

Organizata “Admovere” përmes një shkrese publike ka kërkuar ndihmë nga banorët e Fushë Kosovës, që kushdo që ka materiale dokumentuese të çfarëdo lloji për dy masakrat e ndodhura më 26 mars dhe 1 prill 1999 në Fushë Kosovë, t’i dërgojnë në faqen e organizatës në “facebook”.

Admovere bashkë me Integra janë duke e përgatitur librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999” dhe për këtë arsye janë duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për dokumentimin sa më të mirë të tyre.

Thirrja e plotë:

NDIHMË PËR INFORMATA PËR MASAKRAT NË FUSHË KOSOVË, 26 MARS ’99 dhe 1 prill ’99

Së shpejti, ADMOVERE dhe INTEGRA do ta botojnë librin «Masakrat në Kosovë 1998-1999», në të cilin do të pasqyrohen me tekst (shqip, sërbisht e anglisht) dhe fotografi të gjitha masakrat që janë kryer në Kosovë më 1998-1999. Për këto masakra, i kemi hulumtuar rrënjësisht raportet e organizatave vendore e ndërkombëtare, artikujt në mediet vendore e ndërkombëtare, raportet e gjykatave, e kështu me radhë.

Çuditërisht, për disa prej masakrave nuk ka materiale në burimet e sipërpërmendura. Dy nga to janë Masakrat në Fushë Kosovë, ku më 26 mars 1999 janë vrarë 16 civilë, kurse më 1 prill 1999 janë vrarë 18 civilë. I lusim banorët e Fushë Kosovës dhe të tjerët që nëse kanë për këtë masakër ndonjë fotografi, video, artikull gazete, raport, libër, e kështu me radhë, t’i dërgojnë në faqen tonë në Facebook.

Do ta vlerësonim tejmase bashkëpunimin tuaj! / KultPlus.com

Të ngjajshme