Admovere: Mirëqenia e komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë nuk ishte prioritet i Qeverisë në detyrë

12 Mars, 2021 - 1:32 pm

Më 13 mars 2021 bëhet 1 vit qëkurse në Kosovë dolën dy rastet e para pozitive me COVID-19. Pas daljes së këtyre rasteve dhe alarmimit të të gjithë shoqërisë e veçanërisht institucioneve përkatëse, vendi u mbyll totalisht në funksion të mbrojtjes nga infektimi. Rëndom, mbylljet e tilla dhe këso kohë të çrregullta, shtresa më e varfër e shoqërisë i përjeton më së rëndi. Pa pikë dyshimi, në këtë shtresë përfshihen edhe pjesëtarët e komuniteteve më të margjinalizuara në Kosovë: romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.

Në një raport të publikuar nga ADMOVERE në korrik 2020, gjetjet ishin tejet shqetësuese. Komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptianë ishin thuajse inekzistentë në kontekst të marrjes së një trajtimi të veçantë nga institucionet tona. Duhet thënë që nga gjithsej 27 vendime të Qeverisë së Republikës së Kosovës për menaxhimin e pandemisë Covid-19, vetëm njëri lidhet me komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptianë.

Që nga koha e publikimit të raportit ka kaluar thuajse një vit dhe skena politike ka pësuar ndryshime drastike. Është ndërruar Qeveria (tashmë në detyrë) dhe janë marrë masa të tjera restriktive në raport me pandeminë. Komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptianë jo vetëm që nuk kanë qenë prioritet i Qeverisë, por as pjesë e diskursit publik përgjatë këtyre muajve.

Pjesëtarë të këtyre komuniteteve përveç krizës shëndetësore, janë përballur edhe me gjendje të rënduar ekonomike. Të prekur nga varfëria e skajshme, e rënduar edhe më shumë në kohë të mbylljes totale, ata gjendjen shëndetësore të tyre u detyruan ta zhvendosin në plan të dytë e të fokusohen në mbijetesë. Shteti, përveçse me ndonjë ndihmesë të vogël me pako ushqimore dhe higjienike që ngjason në lëmoshë, nuk bëri më shumë. Trajtimi i tyre ishte tërësisht formal, kryhej në bazë të një protokolli të përgjithshëm dhe nuk ishte trajtim i veçantë, ashtu siç janë edhe kërkesat dhe nevojat e tyre.

Madje, që komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptianë nuk kishin një trajtim të veçantë dëshmon fakti se mekanizmat shtetërorë dhe institucionet shëndetësore nuk posedojnë të dhëna të sakta për numrin e të testuarve dhe të infektuarve nga këto komunitete.

Nxënësit dhe studentët e komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë u përballën me vështirësi të mëdha në ndjekjen e shkollimit online. Këtu ndikuan shumë faktorë, si: mungesa e pajisjeve të teknologjisë, mungesa e internetit nëpër shtëpitë e tyre apo edhe mosinformimi për shkollimin online.

Mosinformimi është një nga pikat thelbësore të problemit. Jo rrallë, pjesëtarët e komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë nuk janë të vetëdijshëm për të drejtat dhe beneficionet që atyre u takojnë, ngase ka një shkëputje të hallkave të komunikimit në mes tyre dhe institucioneve.

Të bindur se qeveria në detyrë e anashkaloi pandeminë dhe kujdesin për popullatën, duke kalkuluar politikisht në veprimet e marra, si dhe të shqetësuar nga disa premisa shqetësuese që i ka dhënë qeveria në ardhje në raport me pandeminë, ne shprehim indinjatën dhe shqetësimin tonë lidhur me këtë problematikë.

Gjithashtu, ftojmë institucionet relevante për kujdes më të afërt të të gjithë qytetarëve pa dallim në moshë, gjini, etni, përkatësi politike e me radhë. Secili qytetar i Republikës së Kosovës duhet të ndjehet i vlerësuar në shoqërinë tonë dhe se secili qytetar ka të drejtë ta gëzojë mbështetjen e shtetit të vet.

Si organizatë e shoqërisë civile, me fokus në krijimin e një shoqërie prosperuese e të prirë nga parimi i gjithëpërfshirjes dhe barazisë, ADMOVERE kërkon nga institucionet e vendit tonë një trajtim më meritor të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë dhe një ndihmë më të madhe të institucioneve të shtetit në përballjen e tyre me pandeminë e cila po vazhdon. / KultPlus.com

Të ngjajshme