15 Korrik, 2020 - 10:46 am
Nesër duke filluar nga ora 11:00, në zyret e ADMOVERE-s, do të mbahet promovimi i raportit ‘Sfidat e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë gjatë pandemisë Covid19’, njofton KultPlus.
Raporti synon t’i identifikojë dhe analizojë masat e ndërmarra nga institucionet qendrore dhe lokale të Qeverisë së Kosovës, me theks te komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, për parandalimin dhe menaxhimin e pandemisë Covid-19. Po ashtu, raporti ka për qëllim të shqyrtojë zbatimin dhe ndikimin e këtyre masave te këto komunitete.
”Ndërkaq disa nga pyetjet të cilave jemi munduar t’u japim përgjigje në këtë raport janë:
-Sa është numri total i të testuarve, i të vdekurve, i të shëruarve dhe i rasteve aktive me Covid-19 në nivel vendi deri më 1 qershor 2020?
-Sa është numri i të testuarve, i të vdekurve, i të shëruarve dhe i rasteve aktive me Covid-19 nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë?
-Sa prej vendimeve të Qeverisë së Kosovës për menxhimin e pandemisë Covid-19 lidhen me komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptianë?
-Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, sa është përhapja e pandemisë te komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptianë?
-Si ka shkuar mbarëvajtja e procesit mësimor në Komunën e Ferizajt, Lipjanit dhe Fushë Kosovës?
-Sa është përqindja e vijueshmërisë së nxënësve të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptianë në këto tri komuna?
-Sa është numri i të regjistruarve si të papunë gjatë muajit prill (pas fillimit të zbatimit të Pakos Emergjente Fiskale)? Sa prej tyre janë pjesëtarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian?
-Sa ëhtë numri i arrestimeve, shoqërimeve në polici dhe gjobave gjatë periudhës së pandemisë Covid19? Sa prej tyre janë pjesëtarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian?’, thuhet në njoftimin e ADMOVERE-S.
ADMOVERE, si organizatë joqeveritare angazhohet për ndërtimin e një shoqërie demokratike, promovimin e tolerancës e bashkëjetesës dhe luftimin e paragjykimeve; dialogun mes komuniteteve të ndara për t’i tejkaluar mosmarrëveshjet, si dhe promovimin e praktikave të mira për drejtësi dhe pajtim. Fushat kryesore të organizatës janë të drejtat e njeriut, me theks të veçantë te drejtësia transicionale, edukimi dhe ndërtimi i paqes. / KultPlus.com