25 Prill, 2023 - 11:40 am
Xh.M., 23 vjeç, nga komuna e Malishevës, ka të përfunduar vetëm shkollimin fillor. Aktualisht, as nuk punon, as nuk është i përfshirë në ndonjë proces mësimor apo trajnim.
“Unë e kam një zanat, jam shtrues i pllakave të qeramikës, por nuk ka punë me kushte të mira”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
“Në një kompani kam punuar 11 muaj dhe nuk jam paguar. Kështu që jam i dëshpëruar nga njerëzit. Punon, punon… kur të bëhet muaji, nuk ta japin rrogën”, vazhdon rrëfimin Xh.M.
Ai nuk dëshiron t’i përmendë arsyet se përse nuk e ka vazhduar shkollimin. Thotë se për shpenzimet e ditës e ndihmon e ëma, e cila merr një pension mujor prej rreth 200 eurosh.
“Çfarë të bëj? Rri në shtëpi… Vështirë është pa punë, sidomos tani kur çmimet janë rritur”, thotë Xh.M.
Si ai që nuk ndjekin as shkollim, as ndonjë trajnim dhe nuk janë të punësuar, janë afër 100 mijë banorë të Kosovës, të moshës 15 deri në 24 vjeç.
Këto të dhëna i ka publikuar së voni Agjencia e Statistikave të Kosovës, bazuar në anketën e fuqisë punëtore.
Të dhënat për tremujorin e parë të vitit 2022 kanë treguar, po ashtu, se nga mbi 1.2 milion qytetarë në moshë pune, mbi 380 mijë janë të punësuar, mbi 77 mijë janë të papunë dhe rreth 750 mijë janë ekonomikisht joaktivë – që do të thotë se nuk janë të punësuar, as të regjistruar si të papunë dhe as nuk kërkojnë punë.
Sipas ASK-së, shkalla e papunësisë në Kosovë në tremujorin e parë të 2022-shit ka qenë 16.6 për qind.
Artan Krasniqi, sociolog në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se shifrat e të rinjve, të cilët nuk punojnë, nuk janë në proces arsimor dhe nuk ndjekin ndonjë trajnim, janë shqetësuese.
“Edhe shteti, edhe shoqëria janë mjaftuar me faktin që Kosova e ka potencialin më të madh rininë dhe sikur është menduar që ky potencial vetëkanalizohet… Ka pasur fare pak politika dhe programe që e ndihmojnë këtë potencial të arrijë në nivele më të larta”, thotë Krasniqi.
Kosova ka popullsi të re, me një moshë mesatare 35 vjeç.
Sociologu Krasniqi thotë se nëse për këta të rinj, nuk krijohen politika të duhura, qoftë të punësimit, trajnimit apo shkollimit, mund të ketë probleme sociale në të ardhmen.
“Së pari mbesin barrë e shoqërisë, familjes dhe më vonë e shtetit. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që këta të rinj ta kërkojnë rrugën e migrimit”, thotë Krasniqi.
Trendi i emigrimit të qytetarëve kosovarë, sipas shifrave zyrtare, është në rritje. Sipas ASK-së, në vitin 2021 nga Kosova janë larguar mbi 42 mijë banorë. Në vitin 2020 – kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit – nga Kosova kanë emigruar mbi 8.000 veta; më 2019 mbi 34.000; më 2018 mbi 28.000.
Profesori i shkencave sociale në Universitetin e Prishtinës, Behxhet Gaxhiqi, thotë se edhe sikur numri i të rinjve që nuk ndjekin shkollim, trajnim apo nuk janë në punë, të jetë 10.000, është shqetësuese, e lëre më afër 100 mijë.
Ai thotë se institucionet qendrore dhe lokale duhet të hartojnë politika për ofrimin e trajnimeve, së paku.
“Kjo moshë e popullsisë është pjesa më vitale e shoqërisë dhe nuk duhet lejuar të mbetet në këtë gjendje. E ardhmja e këtyre të rinjve mund të jetë e paperspektivë dhe si të tillë mund të përfundojnë në skemat sociale të Qeverisë me mjete minimale për jetesë”, thotë Gaxhiqi për Radion Evropa e Lirë.
Kosova, me mbi 1.7 milion banorë, ka 15 skema sociale e pensionale, nga të cilat përfitojnë mbi 400 mijë qytetarë.
Përveç qytetarëve të papunë dhe me vështirësi ekonomike, nga skemat sociale përfitojnë edhe familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës, pensionistë të moshës etj.
“Arsyeja që Kosova ka këtë numër të të rinjve që nuk janë as në shkollim, as në trajnim dhe as të punësuar, qëndron tek edukimi dhe trajnimet që ofrohen. Ato nuk janë cilësore dhe në harmoni me tregun e punës”, thotë eksperti i çështjeve ekonomike, Ismet Mulaj, njëherësh ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë.
Tregu i punës në Kosovë, shton ai, ka nevojë për kuzhinierë, kamerierë, punëtorë në sektorin e prodhimit dhe atë të drurit.
“Këto trajnime profesionale duhet t’iu ofrohen këtyre të rinjve, në mënyrë që ata ta gjejnë veten në Kosovë. Të rinjtë tanë janë të dekurajuar për të kërkuar punë, për t’u punësuar apo për të ndjekur ndonjë trajnim”, thotë Mulaj.
Viteve të fundit, tregu i Kosovës është përballur me mungesa punëtorësh – sidomos sektori privat.
Sipas disa anketave që ka realizuar Radio Evropa e Lirë, por edhe të dhënave të Inspektoratit të Punës, qytetarët janë ankuar për paga të ulëta, mosrespektim të orarit të punës, privim nga pushimi etj.
Për rrjedhojë, shumë punëdhënës kanë marrë punëtorë nga jashtë.
Në Kosovë, Agjencia e Punësimit është institucioni kryesor në fushën e punësimit dhe aftësimit profesional.
Kjo agjenci ofron trajnime për mbi 30 profile të profesioneve të ndryshme, përfshirë: moler, murator, suvatues, kuzhinier, furrtar, pastaj për saldim, administrim biznesi, floktari e të tjera.
Për t’i ndjekur këto trajnime, kërkohet regjistrimi në këtë agjenci si punëkërkues dhe më pas ofrohen trajnime në qendrat e aftësimit profesional.
Në Agjencinë e Punësimit të Kosovës, vitin e kaluar, kanë qenë të regjistruar mbi 82 mijë punëkërkues.
Për të zbutur papunësinë te të rinjtë, Qeveria e Kosovës në shkurt të këtij viti ka hapur platformën “superpuna”, e cila synon të rinjtë nga 18 deri në 25 vjeç.
Në kuadër të saj, Qeveria e Kosovës subvencionon punëdhënësin duke paguar pagën e punëtorit për gjashtë muaj, në vlerë prej 264 eurosh. Punëdhënësi, pastaj, ka të drejtë ta shtojë vlerën e pagës për punëtorin e angazhuar.
Pas periudhës gjashtëmujore, punëdhënësi mund ta mbajë në punë punëtorin duke nënshkruar kontratë të re, por edhe mund ta shkarkojë.
Autoritetet kanë thënë se synojnë që me këtë platformë, të punësojnë mbi 10 mijë të rinj, vitin e parë.
Në vitin shkollor 2022/2023, në një shkollë profesionale në Prishtinë ka nisur edhe mësimi dual, sipas të cilit, aftësimi në një kompani të caktuar kombinohet me lëndë në një shkollë profesionale.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë më herët për REL-in se kjo praktikë mund të inkurajojë më shumë të rinj që ta shohin të ardhmen e tyre në Kosovë. / KultPlus.com