Aftësitë mjeshtërore të Kostandin Zografit në ikonën ‘Ringjallja e Lazarit’

13 Janar, 2023 - 9:08 am

Muzeu i Artit Mesjetar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka sjellë në vëmendje një prej ikonave të fondit të tij, “Ringjalljen e Lazarit”. Ajo është një nga ikonat e dodekaortonit që dekoronin kishën “Burimi Jetëdhënës” në Korçë.

Dodekaorton është një term që vjen nga greqishtja dhe ka kuptimin e 12 festave më të rëndësishme të të krishterëve. Kisha i dedikohej Shën Harallambit (që mbron besimtarët nga murtaja), Virgjëreshës, Burimit Jetëdhënës dhe Shën Visarionit. Ikona është vepër e Kostandin Zografit dhe sipas mbishkrimit që ka poshtë në të djathtë është realizuar në vitin 1770.

Ikona është punuar në një panel monolit prej arre me përmasa 54,5 x 44 x 3,5 cm me tempera veze.

Tema e “Ringjalljes të Lazarit” bazohet në Dhiatën e Re. Krishti paraqitet në plan të parë të kompozimit në një moment solemn. Vdekja i është nënshtruar pushtetit të tij dhe me ton urdhërues ai i drejtohet Lazarit “Lazar dil jashte” ( Joa. 11,43 ). Dy burra në të djathtë kanë lëvizur pllakën e varrit.

Pas urdhërit të Krishtit Lazari del i lidhur me fasha prej varrit. Ai thotë ” Zgjidheni dhe lëreni të shkoje”. Në krah të Krishtit qëndrojnë dishepujt e Tij. Gjesturat dhe mimika e tyre shpreh habi dhe admirim. Me tej në qendër të kompozimit, paraqitet një turmë qe merr pjesë në mrekullinë që po ndodh. Aty shihen pleqtë izraelitë me mjekra të gjata që besuan tek Krishti pasi panë me sytë e tyre atë që ndodhi. Në fytyrat e tyre shihet habi dhe befasi. Ngjarja zhvillohet jashtë qytetit të Bethanisë dhe në sfond duket një kodër dhe muret rrethuese.

Kompozimi dominohet nga të kuqet e ngrohta që kontrastojnë me të gjelbrat dhe blutë. Paraqitja e balancuar si në kompozim dhe në ekzekutim tregon aftësitë mjeshtërore të artistit. Portretet janë punuar me kujdes dhe vëllimet janë të plota. Draperitë nuk janë tërësisht të sheshta./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme