Ag Apolloni: Intervenimi ajror i NATO-s më shumë i ka dëmtuar shqiptarët sesa serbët, intervenimi i 12 qershorit ishte bekim për ne

24 Mars, 2024 - 4:53 pm

Shkrimtari Ag Apolloni përmes një shkrimi ka thënë se ndërhyrja e ajrore e NATO-për t’i dhënë fund terrorit të Serbisë mbi Kosovë, më shumë e ka dëmtuar popullin shqiptar sesa vetë serbët, shkruan  KultPlus.

Shkrimtari Apolloni ka thënë se ndërhyrja ajrore e NATO-s më 24 mars vetëm sa e kishte tensionuar konfliktin, përderisa ndërhyrja tokësore NATO-s së12 qershorit ishte një bekim për popullin shqiptar, e cila sipas tij e dëboi palën serbe me bisht ndër shalë.

Më poshtë gjendet shkrimi i plotë:

Në mars 1998, forcat serbe bënë masakrat mbi shqiptarët në Likoshan, Qirez e Prekaz. Muajt e tjerë pasuan me masakra të tjera. Pas një viti plot ankth, pas debatesh të shumta pro et contra në Evropë e SHBA, më në fund, më 24 mars 1999, NATO intervenoi nga qielli, me qëllimin për ta ndëshkuar Serbinë. Kjo vetëm sa i egërsoi serbët në Kosovë, të cilët një ditë pas intervenimit të NATO-s, kryen masakrën më të madhe deri atëherë (Masakrën në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, ku humbën jetën 105 civilë shqiptarë), ndërsa në muajin pasues realizuan Masakrën e Mejës, ku u masakruan rreth 400 shqiptarë. Rreth 20 masakra masive kanë ndodhur vetëm pas intervenimit të NATO-s, ndonjëra (aksidentalisht) edhe nga vetë NATO-ja.

E mbaj mend që atëherë, si 16-vjeçar, qeshë gëzuar shumë nga intervenimi i NATO-s, sepse, si të gjithë shqiptarët, mendoja që tashmë pushtuesi serb do ta thyente qafën. Në fakt, ky ishte vetëm një iluzion. Helikopterët e NATO-s bënin spektakle në qiell (shpesh rrëzoheshin si të ishin prej letre), kurse ne masakroheshim këtu poshtë. Kështu, intervenimi ajror i NATO-s më shumë i ka dëmtuar shqiptarët sesa serbët. U desh të presim (duke na prerë) deri më 12 qershor që trupat tokësore të NATO-s të hynin në Kosovë dhe t’i jepnin fund luftës. Sa për intervenimin ajror, sot asnjë shqiptar s’do të ishte në Kosovë.

Disa thonë se 24 marsi ishte fillimi i fundit të agresionit serb, por, në fakt, ajo ditë shënoi hyrjen në një ankth mbi dymujor të paparë në Kosovë. NATO e 24 marsit vetëm e tensionoi konfliktin, kurse NATO e 12 qershorit ishte një bekim për ne dhe një poshtërim për palën agresore që iku me bisht ndër shalë./KultPlus.com

Të ngjajshme