Agata Kristi dhe Edit Durham

3 Shkurt, 2023 - 7:20 pm

Tregim nga Binak Kelmendi

Agata Kristi dhe Edit Durham

Albi u ngrit nga shtrati, shikoi në një raft të vogël dhe nxori me përtesë një libër.

Pasi e kishte lidhur devenë për këmbë të piramidës së Keopsit, Agata Kristi kishte shkundur flokët nga pluhuri me elbazën e fletores ku kishte mbajtur shumë shënime. Një korb glasiti mbi majë piramide dhe Agata Kristi u përpoq të lidhte më shtrëngueshëm shaminë në kokë. Pastaj ajo kishte marrë frymë thellë dhe elbazja me fletët e gjera kishte hudhur grimca guri mbi sfingë. Njeriu me fytyrë luani ishte lëkundur në rërë dhe ciceroni kishte dridhur krahët pa ditur si të vepronte: tre-katër figura njerëzish të kamufluar shtinin me të gjitha armët në të gjitha drejtimet dhe njerëz me pantollone të bardha e me kapele kashte në krye rrëzoheshin duke këlthitur mbi gurët dhe duke lënë njolla të kuqe mbi ta dhe në rërë. Agata Kristi, pasi mbuloi shpejt e shpejt fytyrat e të rrëzuarve mbi gurët me lagështi të kuqe që tashmë po nxirrnin avull me fletë itinerari, zuri për freri devenë që qiste shkumbë nga goja e nga hunda dhe me revanin e saj arriti në një lug të vogël të një lumi të madh në shkretëtirën e paanë. Gjatë gjithë rrugës ajo kishte parë vetëm një shenjë drejtuese: Tutankamoni, Ramzesi. Tutankamoni, Ramzesi, me të gjithë numrat, romakë e arabë… para dhe pas.

Agata Krsiti ia lëshoi në duar recepsionistit frerin e devesë dhe pasi u ngop me frymë, avull e pluhur, erë e shi, ngjiti shkallët spirale nga druri. Në katin trembëdhjetë, në dhomën numër trembëdhjetë, nga dritarja xhami i së cilës ngjante i krisur nga larja keq e tij, ajo, pasi nuk po e zinte dot gjumi në krevatin që vetëm kërciste, zuri të sodisë: Nili gjarpër humbiste pas ndërtesës së gjelbër harkore në kënd, nje minare me hënën sipri çikte yjet që xixëllonin në qiell, valët llambuçisnin mbi lumë… Një hipopotam u ngrit mbi ujë, hapi gojën shumë të madhe me dy dhëmbët gërremç dhe e shtyri trapin me turinj.

Zëra njerëzish, duke bërtitur pa shpjegueshëm, u krridhën në thellsinë e errtë të ujit. Agata Kristi vrapoi ke tavolina të merrte lapsin për të mbajtur shënim: Urgjenca, policia lumore, kishte ndezur reflektorët dhe bërtiste, fishkëllonte, urdhëronte kot së koti. Elizabet Tejlori nxirte me pincetë qimet nga hunda e nga vetullat e Kleopatrës dhe duke shpluar gjoksin lyente buzët me karmin.

Hanibali dhe Cezari mprehnin shpatat duke shtënë në nësqetulla me spreje deodoransi. Agati Kristi mbylli me gishtërinj hundët dhe në krevatin e prishur pa një këmbë, ajo e kontrolloi shpejt e shpejt biletën e udhëtimit: Treni “Ballkan ekspres” kishte bërë ndeshje me trenin “Inter Europa City” në Kaçanik. Kishte shumë të vdekur, shumë të zhdukur, shumë të lënduar, shumë të traumatizuar. Të vrarët, pasi dërgoheshin kot së koti në morgje për identifikim, futeshin në një gropë të përbashkët ku nuk kishte mjaft dhé për t’i mbuluar. Qentë luanin me gjymtyrë të tyre të thara e të përziera dhe askush nuk mund të shkruante as epitafe pasi askush nuk i dinte emrat e tyre. Të plagosurit e mbetur pa gojë me qerre kuajsh e me qe dërgoheshin në Shkup, në Tiranë dhe në Prishtinë, në Nju-Jork, Londër, Berlin, Paris, Romë, Skandinavi…O zot, çdokund dërgoheshin të plagosurit që nuk nxirrnin fjalë nga goja, vetëm e gjëmë e rënkime e ankime nxirrnin. “Hetimet mund të vazhdojnë”, shkroi Agata Kristi në anën e mbrapme të biletës ndërkohë që dëgjoi një trokitje të lehtë në derë.

-Hyr, bëri Agata Kristi.

Dera, u hap krah më krah.

Agata Kristi u trallis nga pamja: Miss Edit Durham ishte ndalur në hekurudhë dhe nxirte gjymtyrë fëmjësh dhe koka fëmijësh nga vagonët që pas rrokullisje nga hekurudha binin në një ujë shumë shumë të zi.

-Mbaj shënime, bërtiti me psherëtimë Edit Durham.

Agata Kristi e shtrëngoi më fuqishëm shaminë në kokë duke e tundur si elbaze fletoren e shënimeve.

Albi pastaj u ngrit sërish nga shtrati, hapi dritaren dhe pasi u ngop me frymën e natës, u lut: “Eja o gjumë më t’i harroj të gjitha dhe çdo gjë në këtë botë që duket të jetë megjithatë e mirë”…Dhe e fiku dritën./KultPlus.com

Të ngjajshme