Agim Morina për Lumturi Blloshmin: Shpirti i saj i vuejtun është i shpërndamë nëpër çdo pikturë

27 Nëntor, 2020 - 7:26 pm

Vdekja e piktores Lumturi Blloshmi përveç që ka tronditur skenën artistike, ka ngjallur edhe reagime të shumta, që bëjnë të besojnë se ajo do të rroj nëpërmjet krijimtarisë së saj të pasur, shkruan KultPlus.

Poeti Agim Morina në një shkrim të shpërndarë në facebook dhe me titull “U njohëm më 27 nëntor”, ka kujtuar mënyrën e takimit të parë me piktoren.

Ishte pikërisht 27 nëntori, dita kur këta dy artistë ishin takuar për herë të parë, e që vite më pas piktorja Blloshmi do të vdiste në këtë datë. Morina në shkrimin e tij përmendi ekspozitën e mbajtur në fund të vitit 1995 “Onufri” në Tiranë.

Nga të gjitha krijimet artistike të ekspozuara, atij i kishte lënë mbresë vepra e Lumturisë, me ç’rast edhe kishte pasur mundësinë ta takonte dhe t’i ndante me të mendimet për to.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Agim Morinës:

U NJOHËM MË 27 NËNTOR

Kur shkova në Tiranë, në fund të vitit 1995, arrita në kohën kur, disa javë më pas, u hap ekspozita Onufri. Ajo u hap më 27 nëntor, që i bjen rrafsh para 25 vjetësh. Në ekspozitë shkova me një ndjenjë pasigurie për atë se çfarë kam me pa. Pas gjysmë shekulli të ndrydhjes staliniste, nuk mund të prisja ndonjë mrekulli. E merrja me mend se nuk do të shihja grushta burrash e grash muskulorë me kazma e lopata në duer, tue vështru rreptas larg në horizont, nuk do t’i shihja tue ba thirrje për çarje bllokadash e kthimin e kodrave në fusha, por, doemos – mendoja unë – kanë me qenë prapë po ata trupa me muskuj, po aj optimizëm i rremë dhe naiv, tipik për enverizmin, veçse tani pa kazma e lopata dhe pa parulla.

Kur hyna në sallën e madhe të Galerisë Kombëtare, thjesht, u mrekullova me punimet e piktorëve shqiptarë. Ishin mbresëlanëse. Thjesht mbeta pa fjalë. Energjia që gufonte në ato punime ishte vullkanike. Natyrisht, kishte eksperimentime, ndërthurje stilesh e rrymash të ndryshme artistike, ku ndonjëherë mundeshin me u dallu lehtë edhe piktorë e punime të veçanta të artit botënor prej nga ishin frymëzu, që nga klasicizmi, impresionizmi, kubizmi, surealizmi, pop-arti, op-arti, hiper realizmi etj. Por, megjithatë, në krahasim me rrethanat nëpër të cilat kishin kalu piktorët shqiptarë kishin arrijtë në caqe të mahnitshme artistike. Shihja potencialin që kishte nisë me shpërthy dhe do të derdhej në dhjetëvjeçarë të ardhshëm. Thjesht, vizita në galeri u kthy në një festë të vogël për sytë e mi.

E veçantë nga të gjithë me stabilitetin e shprehjes artistike m’u duk punimi i autorit “L. Bloshmi.“ Para punimit të tij mbeta tue kundru gjatë. Si ishte e mundun? Kompozicioni i zgjidhun mirë, koloriti i balancuem, siguria e hoveve të penelatave dhe një trajtim artistik që tregonte një shpirt kryengritës. Ky autor ishte më i veçantë. Pas një kohe iu drejtova një kujdestareje të galerisë dhe e pyeta se kush ishte autori i këtyre punimeve. Ajo buzëqeshi me mirësjellje e më tha:

– Nuk asht autor! Asht autore. Quhet Lumturi Bloshmi.

– Shumë mirë! – gati klitha e vazhdova – punimet e saja po më pëlqejnë shumë. Po më duket krejt e veçantë…

– Po, asht e veçantë… Por, ajo asht këtu, nëse doni ta takoni? – më tha ajo.

Befasitë po renditeshin njëna pas tjetrës.

E ndoqa pas kujdestaren dhe u ndala prapa një zonje, koka e së cilës u kthy ngadalë kah unë. U shfaq një fytyrë me sy të mëdhej, buzë të holla, shikim të mprehtë. E shkujdesun në veshje dhe me flokë pak të hapërdamë, mbështjellë me një shall lara-lara ajo buzëqeshi ambël. I erdhi shumë mirë që punimi i saj më kishte lënë përshtypje. Por edhe habi, se si nga të gjitha punimet më kishte pëlqy e saja. Biseduem një copë kohë dhe e lamë të takoheshim prapë. Gjatë gjithë bisedave, ajo asnjëherë nuk më foli për rrethanat e randa të jetës së saj. Ma vonë kam me kuptu këtë prej të tjerëve. Por, vetëm kështu pata arrijtë me kuptu se pse thellë në sytë e saj përhidhej një flutur ankthi e dhembjeje, që ajo përpiqej me e fshehë e me e mbajtë vetëm për vete.

Sonte mora lajmin e hidhun që Lumturi Bloshmi na paska lanë. Saktësisht, në ditën e 25-vjetorit që u patëm njohë atë ditë në Galerinë e Arteve në Tiranë. I qoftë i lehtë dheu! Shpirti i saj engjëllor, i vuejtun e kryengritës, i shpërndamë nëpër çdo pikturë të saj në trajtë ngjyrash e vijash, ka me na ba dritë përgjithmonë. / KultPlus.com

Të ngjajshme