Agim Qirjaqi, artisti poliedrik dhe elegant i skenës dhe ekranit

27 Janar, 2025 - 12:01 pm

Teatri Kombëtar kujtoi sot aktorin e shquar Agim Qirjaqi, në ditën e tij të lindjes.

Qirjaqi lindi në Kolonjë, më 27 janar të vitit 1951. Pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, më 1973 filloi punën si aktor në Teatrin Kombëtar. Në skenën e TK, Agim Qirjaqi luajti me sukses shumë role të dramaturgjisë sonë dhe asaj botërore si: “Familja e peshkatarit”, “Orët e Kremlinit”, “Hijet e natës”, “Rikardi III”, “Fando e Lis”, “Marrëzia e madhështisë”, “Këngëtarja tullace”, “Armiku i Popullit” etj.

Në sezonin artistik 2002-2003, Agim Qirjaqi ishte edhe drejtor i Teatrit Kombëtar.

Ai skaliti në kujtesën e publikut një mori karakteresh të skenës dhe ekranit, duke u bërë një burim krenarie për kulturën dhe kinematografinë shqiptare. Agim Qirjaqi është vlerësuar me titullin “Artist i Merituar” ndërsa pas vdekjes u vlerësua edhe me dekoratën “Nderi i Kombit”. Ndër rolet më të spikatura të tij në kinematografi mund të përmenden: drejtori tek “Lulëkuqe mbi mure”, profesori tek “Apasionata”, komediani tek “Tela për violinë”, Ethemi tek “I dashur armik”, etj.

Agim Qirjaqi u nda nga jeta më 28 mars të vitit 2010./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme