22 Nëntor, 2019 - 3:56 pm
Që shqiptarët i mbrojtën e hebrenjtë, i mbajtën në shtëpitë e tyre, i “pagëzuan” me emra myslimanë, kjo njihet tashmë botërisht.
Janë të shumta dëshmitë e të mbijetuarve. Por ky ishte një fakt, që komuniteti izraelit, jo vetëm në Shqipëri, e dinte fare mirë. Agjencia Hebraike e Lajmeve, “Jewish Telegraphic Agency”, përmes buletinit të saj ditor “Jewish Daily Bulletin” nxirrte herë pas here lajme që kishin të bënin me shpëtimin e hebrenjve.
Agjencia Hebraike e Lajmeve, “Jewish Telegraphic Agency”, përmes buletinit të saj ditor “Jewish Daily Bulletin”, më 13 janar 1945 bën të ditur mbi mirënjohjen e hebrenjve jugosllavë, të cilët “u pritën fisnikërisht në shtëpitë e familjeve shqiptare dhe mbrojtur nga çdo vështirësi”. “Mendimi i parë i hebrenjve që u kthyen në Jugosllavi nga Shqipëria është të shprehim mirënjohje dhe entuziazëm ndaj shqiptarëve, që treguan një qëndrim të mrekullueshëm në momentet më kritike të jetës sonë dhe në periudhën vendimtare të njerëzimit të civilizuar”, thuhet midis të tjerave.
Ndërsa më 3 shkurt 1946, “Jewish Telegraphic Agency” publikon një shkrim të gazetarit të njohur ruso-hebre, Ilya Ehrenburg, i cili raporton mbi kushtet e hebrenjve në Europën Juglindore dhe Qendrore. Pasi përshkruan gjendjen e hebrenjve në Bullgari, ai hidhet në Shqipëri, ku vlerëson zgjuarsinë e shqiptarëve, të cilët ua kishin mbushur mendjen gjermanëve se në vendin e tyre nuk kishte asnjë hebre. “Izraeli sot” publikon faksimilet e këtyre lajmeve të viteve ‘45-‘46.
Janar, 1945 Bashkësia Hebraike e Beogradit falënderon Qeverinë Shqiptare për ndihmën ndaj hebrenjve gjatë pushtimit
Uashington, 13 janar (JTA) – Hebrenjtë e Beogradit i kanë shkruar shefit të Misionit Ushtarak Shqiptar në Beograd, maj. Vasil Konomi, duke i kërkuar atij t’i përcjellë qeverisë dhe popullit të tij mirënjohjen e hebrenjve jugosllavë, të cilët “u pritën fisnikërisht në shtëpitë e familjeve shqiptare dhe mbrojtur nga çdo vështirësi”, sipas një transmetimi të Tiranës, njoftoi sot Zyra e Informacionit për Luftën (Office of War Information). “Mendimi i parë i hebrenjve që u kthyen në Jugosllavi nga Shqipëria është të shprehim mirënjohje dhe entuziazëm ndaj shqiptarëve, që treguan një qëndrim të mrekullueshëm në momentet më kritike të jetës sonë dhe në periudhën vendimtare të njerëzimit të civilizuar”, tha transmetuesi. Hebrenjtë jugosllavë “u pritën fisnikërisht në shtëpitë e familjeve shqiptare dhe u mbrojtën nga çdo vështirësi” dhe “populli shqiptar do të bekohet nga të gjithë popujt e shtypur për kontributin e tyre në shpëtimin e shumë jetëve hebraike”, thuhet më pas në deklaratë.
Shkurt, 1946 Ilya Ehrenburg raporton mbi kushtet e hebrenjve në Europën Juglindore dhe Qendrore
Moskë, 3 shkurt (JTA) – Bullgaria, nga të gjitha shtetet fashiste dhe naziste, ishte një “rast i lumtur” për hebrenjtë, tha korrespondenti i njohur i luftës, ruso-hebreu Ilya Ehrenburg, në një takim të Komitetit Antifashist të Hebrenjve (Jewish Anti-Fascist Committee) këtu, pas kthimit të tij nga një vizitë në vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore. Duke përshkruar tragjedinë e hebrenjve në vendet e okupuara, Ehrenburg deklaroi se “pavarësisht nga politika kriminale e qeverisë fashiste të Bullgarisë”, populli bullgar luftoi kundër antisemitizmit dhe fashizmit.
Ai gjithashtu vlerësoi luftën e hebrenjve bullgarë kundër gjermanëve, duke theksuar se megjithëse hebrenjtë në atë vend arritën në më pak se një për qind të popullsisë, përbënin 2.5 për qind të forcave partizane. Ai tregoi shumë shembuj të luftës së sotme të qeverisë kundër çdo manifestimi të qëndrimit armiqësor ndaj hebrenjve. Në Shqipëri, deklaroi Ehrenburg, popullsia lokale ishte aq e zgjuar për t’i fshehur hebrenjtë nga nazistët, aq sa gazetat gjermane komentuan se Shqipëria ishte “me fat” që nuk kishte pasur ndonjë hebre.
Fati i hebrenjve hungarezë dhe jugosllavë ishte veçanërisht i hidhur pohoi ai, duke vënë në dukje se shumica e hebrenjve në qytete të vogla u zhdukën plotësisht, ndërsa në Jugosllavi ata duhej të luftonin me të dyja palët, si me gjermanët, ashtu dhe me lëvizjen fashiste sllovake lokale.
“Edhe tani ka ende gjurmë të fashizmit në Sllovaki”, raportoi Ehrenburg, duke vënë në dukje se në Çekosllovaki hebrenjtë pësuan së pari dhe më së shumti nën pushtimin gjerman. Ai deklaroi se në Bohemi “vështirë se 6,000 nga 100,000 hebrenjtë” i mbijetuan regjimit nazist, ndërsa në Sllovaki “më pak se një e treta e 70,000 hebrenjve” ishin ende gjallë. /panorama/ KultPlus.com