Agjencia Suedeze e Taksave ka ndryshuar politikën e saj, nuk do të regjistrojë më shtetasit kosovarë si shtetas serbë

17 Mars, 2021 - 12:01 pm

Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm përmes faqes zyrtare në rrjetet sociale, kanë bërë të ditur sot një lajm shumë të rëndësishëm për kosovarët, shkruan KultPlus.

Ambasada ka njoftuar që kanë zgjidhur problemin e kamotshme të dokumenteve të lëshuara nga Agjensioni Suedez i Taksave – Skatteverket, i cili përmes kanaleve diplomatike, u zgjidh me një epilog pozitiv.

Me të filluar detyrën e saj në Suedi, Ambasadorja Geci Sherifi është njoftuar për shqetësimin e shumë qytetarëve që në dokumentet personale si certifikata të lindjes, martesore e të tjera, të lëshuara nga Skatteverket, krahas Kosovës, ju është shënuar edhe Serbia. Kësaj çështjeje ajo i ka dhënë prioritet dhe me një përkushtim serioz, Ambasada ka filluar trajtimin e saj në mënyrë konsistente. Pas një sërë diskutimesh tejet konstruktive me Ministrinë e Jashtme të Suedisë, çështja në fjalë është trajtuar nga Skatteverket dhe është zgjidhur me sukses.

Tash e tutje, në dokumentet e kosovarëve do të figurojë vetëm shteti i Kosovës meqë:

• Agjencia Suedeze e Taksave ka ndryshuar politikën e saj dhe nuk do të regjistrojë më shtetasit kosovarë si shtetas serbë në Regjistrin Suedez të Popullsisë

• Kur një individ lëviz në Suedi nga Kosova, Agjencia e Taksave do të regjistrojë shtetësinë bazuar në pasaportën e individit ose dokumenteve nga Agjencia e Migracionit, për shembull uppehållstillståndkort

• Individët që janë të regjistruar si shtetas kosovarë dhe serbë mund të kërkojnë heqjen e regjistrimit të shtetësisë serbe. Agjencia e Taksave do të vërtetojë kërkesën bazuar në dokumentet e paraqitura nga individi, informacionin në dispozicion kur individi ka ardhur në Suedi dhe rrethana të tjera të ndërlidhura me rastin përkatës. / KultPlus.com

Të ngjajshme