11 Nëntor, 2024 - 6:31 pm
“Agro Fest” ka mbledhur në Gurin e Zi, operator turistik, fermerë dhe banorë të zonës në një panair, ku në fokus ka qenë promovimi i resurseve natyrore dhe produkteve të kësaj zone në Bashkinë e Shkodrës.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau në rrjete sociale, momente nga zhvillimi i këtij panairi që u shoqërua me edhe me këngë dhe valle tradicionale të zonës.
Vitet e fundit zona e Rragamit në veçanti dhe krahina të tjera të kësaj bashkie në përgjithësi janë kthyer në destinacione të preferuar për turistët vendas dhe të huaj.
Për operatorët turistik të zonës të tilla aktivitete nxisin interesin e turistëve për tu njohur me resurset natyrore të veçanta të zonës së Rragamit. Prodhimet bio, kuzhina tradicionale dhe e trashëguar brez pas brezi puna me tezgjah nga gratë e zonës janë vlera të veçanta të kësaj zone në Shkodër.
Guri i Zi, njësia administrative e cila ndodhet 10 minuta larg Shkodrës, dallon për produktet bujqësore të zonës, por edhe për bukuritë natyrore dhe historike mes të cilave Rragami me daljen në liqenin e Vau Dejës por edhe me historinë e zonës siç është shpella e Gajtanit./atsh/ KultPlus.com