Agroturizmet zgjerojnë ofertën turistike të Tiranës

14 Prill, 2025 - 8:00 pm

Oferta e Tiranës në fushën e agroturizmit është e larmishme dhe sa vjen diversifikohet edhe më shumë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau historinë e Rizvanit, të riut 25 -vjeçar që me guxim, ide dhe dashuri për natyrën, ndërtoi kabinat e drurit, “Funky Cabin”, mes kodrave të liqenit të Çerkezit, pak minuta larg Tiranës.

“Pika agroturistike “Funky Cabin”, është kthyer në një tjetër histori suksesi”, tha Denaj.

“Sot, është e vështirë të gjesh një prej tyre të lirë, sepse turistë nga e gjithë bota shkojnë çdo ditë për të kaluar natën nën yjet e këtij oazi magjik, të ndërthurur me përvojën autentike të kulinarisë shqiptare me prodhime “Made in Albania””, theksoi Denaj.

Ajo tha se, përmes mekanizmave të reja të financimit qeveria synon të nxisë më tej investimet në agroturizëm.

“Me linjën e financimit të Kredisë së Butë, të mbështetur nga Garancia Sovrane dhe Paketa e Maleve, nxisim investimet në agroturizëm për zgjerimin, modernizimin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale”, u shpreh Denaj.

Ndërsa Rizvani, tregoi se, ideja për ngritjen e kësaj sipërmarrjeje lindi gjatë kohës së pandemisë COVID në 2020-ën.

“Fillimisht unë ndërtova kabinën e parë prej druri në oborrin e shtëpisë time dhe me të ardhurat që sigurova nga kjo dhomë ndërtova edhe dy kabina të tjera dhe sot në zonën piktoreske të Çerkezit janë të ndërtuara 14 dhoma”, tha ai.

Sipas tij, ky investim i kthyer në një pikë agroturistike ofron akomodim, shërbim me mëngjes dhe darkë, shëtitje me varka në liqen, ecje dhe shëtitje me kuaj.

“Aktualisht kemi një kapacitet prej 30 personash, ndërsa kërkesa është dyfish më e lartë, ndaj po punojmë për të zgjeruar më tej këtë investim”, u shpreh Rizvani, ndërsa vuri në dukje se po punon për ngritjen e restorantit dhe zgjerimin e bashkëpunimit me fermerët e zonës për prodhimet bujqësore./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme